Bota Tech

Shkencëtarët australianë bëjnë zbulimin misterioz, gjejnë një objekt të frikshëm!

Shkencëtarët australianë bënë të ditur se zbuluan një objekt rrotullues të panjohur në Rrugën e Qumështit, në galaktikën ku gjendet sistemi ynë diellor. Ata pretendojnë se një objekt i tillë nuk është zbuluar më parë. U vu re se ka çliruar një shpërthim të madh energjie, që ka zgjatur për një minutë të plotë e ka ndodhur çdo 18 minuta. Objekte që lëshojnë energji në Univers dokumentohen shumë shpesh. Por, kërkuesit thonë se është shumë e pazakontë që një objekt të lëshojë energji për një minutë të plotë.

Ekipi i shkencëtarëve po kryen studime për të kuptuar se përse ka ndodhur kjo. Fillimisht, objekti u zbulua nga studenti i Universitetit “Curtin”, Tyrone O’Doherty. Kur e detektoi këtë objekt, ai kishte përdorur një teleskop dhe një teknikë të re të zhvilluar nga vetë ai. O’Doherty ishte pjesë e ekipit të udhëhequr nga astrofizikantja Natasha Hurley-Walker nga Universiteti “Curtin” dhe nga Qendra Kombëtare për Kërkime të Radio Astronomisë (ICRAR).

Gjatë vëzhgimeve tona disa orëshe, objekti u zhduk dhe u shfaq disa herë. Kjo ishte krejtësisht e papritur, ishte pak e frikshme për një astronom sepse nuk dimë se ka diçka në qiell që e bën këtë gjë.

Astrofizikantja, Gemma Anderson:

Objektet që ndizen dhe fiken në Univers nuk janë gjë e re për astronomët, por çlirimi i energjisë për një minutë të plotë nga objekti i zbuluar ishte diçka e çuditshme.

ICRAR shtoi se “mbi bazën e të dhënave, ekipi ka arritur të vlerësojë se objekti gjendet rreth 4 mijë vjet dritë larg nga Toka”. Sipas shkencëtarëve, ky objekt ishte jashtëzakonisht i shndritshëm dhe kishte një fushë magnetike jashtëzakonisht të fuqishme. Ekzistojnë një sërë teorish mbi atë se çfarë mund të jetë ky objekt, duke filluar nga hipoteza se mund të jetë një yll neutroni ose një “xhuxh i bardhë”, term që i referohet mbetjeve të një ylli që ka rënë. Megjithatë, ky zbulim ende është i mbështjellë me shumë mistere.

Dr.Hurley-Walker:

Hulumtimet e mëtejshme do të na tregojnë nëse kjo ishte një ngjarje e rrallë apo diçka e re që nuk e kemi konstatuar kurrë më parë!