Qeveria miratoi një projektligj në fushën e arsimit të lartë, i cili parashikon disa bashkëpunime mes Shqipërisë dhe Kosovës, përfshirë kërkimin shkencor. Si risi, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu veçoi bursat që do të jepen nga dy vendet për 30 studentë në vit. Pritet edhe lehtësim procedurash për njehsimin e diplomave, gradave apo titujve shkencorë.
Një risi është programi i lëvizshmërisë se studentëve ku do mundësohet dhënia e bursave. 30 bursa në vit për studentë që duan të studiojnë në Shqipëri në programe të ndryshme. Do të ketë një proces vlerësimi për të përcaktuar kriteret dhe procedurat.
Njohja e diplomave, gradave dhe titujve shkencor, pritet lehtësimi i procedurave. Mobiliteti i studentëve në të dy vendet është shumë i rëndësishëm. Nëpërmjet granteve që japim, inkurajojmë projekte të përbashkëta studimore, me qëllim që të vijojmë këtë bashkëpunim të suksesshëm.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj bërë të ditur sot se qeveria ka miratuar vendimin që i hap rrugën zhvillimit të ekosistemit të startup-eve. Përmes fondeve do të mbështeten startup-et në tre faza të tyre. Thirrja e parë, hapet me 16 shkurt dhe qëndron e hapur për 30 ditë.
Parashikohet të mbështeten 50-80 projekte, ndërsa fondi në total mbi përkrahjen e startup-eve dhe lehtësuesve për vitin 2024 është 3 milion euro.
Në fazën fillestare mbështetja shkon deri në 1.5 milion lekë maksimalisht dhe mund të aplikojë çdo individ që ka një ide.
Në fazën e dytë mbështeten subjekte që kanë një vit që operojnë në treg, pra që kanë dorëzuar një vit pasqyra financiare e kanë krijuar një prototip dhe nëpërmjet fondeve ata mund të zhvillojnë prototipin, i cili duhet të jetë i tregtueshëm. Në këtë fazë, mbështetja financiare arrin maksimalisht 4.5 milion lekë.
Faza e tretë përfshin ato subjekte që tashmë kanë një prototip të zhvilluar, që është i tregtueshëm, por ende ka nevojë për financim që të rritet apo ndërkombëtarizohet. Mbështetja financiare në këtë fazë shkon deri në 9 milion lekë.