Gjykata Kushtetuese në Tajlandë urdhëroi shpërbërjen e Partisë Progresive ‘Ecni Përpara’, e cila fitoi zgjedhjet kombëtare në vitin 2023, por mbeti në opozitë, pasi nuk iu lejua të zgjidhte kryeministrin.
Gjykata thotë se kjo parti shkeli kushtetutën duke propozuar ndryshimin e ligjit që ndalon kritikat ndaj familjes mbretërore të vendit. Qeveria amerikane u shpreh sot (të mërkurën) e shqetësuar nga vendimi duke thënë se ai bie ndesh me aspiratat e popullit tajlandez për një të ardhme demokratike.
“Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht të shpërndajë partinë ‘Ecni Përpara’, në përputhje me rregulloret kushtetuese…”
Ky vendim i gjykatës tronditi përkrahësit e partisë opozitare pas përpjekjeve të saj për të ndryshuar ligjin që nuk lejon kritikat ndaj familjes mbretërore.
Para gjashtë muajsh, kjo gjykatë bllokoi një nismë për të ndryshuar ligjin duke e quajtur atë anti-kushtetuese. Vendimi i sotëm shpërbën partinë që udhëhoqi përpjekjet për të ndryshuar ligjin për fyerjen e familjes mbretërore. Vendimi i të mërkurës gjithashtu u ndalon udhëheqësve kryesorë të partisë aktivitetin politik për një dekadë.
“Jam krenar për atë që unë dhe kolegët e mi kemi arritur të bëjmë. Unë nuk jam penduar për mënyrën se si e kam bërë punën time. Unë do të sigurohem që t’ia kaloj stafetën udhëheqësve të brezit të ardhshëm”, tha ish kryetari i partisë Pita Limjaroenrat.