Aktualitet Politikë

Shkarkohet nga detyra pasardhësja e Beqajt, shpallet vendi vakant!

Pas arrestimit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt me urdhër të SPAK, nën dyshimet për një skemë korrupsioni me fondet e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC), është shkarkuar dhe drejtoresha e kësaj agjencie, Jona Suli. Sipas raportimeve Suli u largua me vendim të qeverisë ditën e djeshme, ndërsa sot Kryeministria ka shpallur vendin vakant për drejtor të përgjithshëm të agjencisë që koordinon shpërndarjen e fondeve të BE. Arsyet e shkarkimit të Sulit ende nuk dihen.

Kështu, funksioni i drejtorit të përgjithshëm të SASPAC është i lirë dhe të interesuarit për këtë post mund të aplikojnë deri në 7 gusht. Përmes një njoftimi, Kryeministria fton kandidatët të aplikojnë dhe rendit të gjitha kriteret që duhen plotësuar.

Të jetë shtetas shqiptar;
Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
Të ketë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përftuar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike, ose të barasvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në shkenca sociale, inxhinierike, juridike, ekonomike;
ç) Të ketë përvojë pune jo më pak se 7 vjet;

Të dallohet për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale;
dh) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre
penale;

Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar, sipas legjislacionit në fuqi.

SASPAC ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet e projektet zhvillimore, monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022-2030, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale, me qëllim harmonizimin e tyre me SKZHIE-në, si dhe monitorimin e zbatimit të tyre, koordinimin e procesit të administrimit të projekteve me interes kombëtar, ofrimin e mbështetjes për institucionet e administratës shtetërore për rritjen e kapaciteteve në fushën programeve dhe të projekteve zhvillimore.