Aktualitet

Shkarkimi i Presidentit Meta, Kuvendi mblidhet në seancë!

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, fatin e të cilit në fund e vendos Gjykata Kushtetuese. Duhen të paktën 94 vota që të mbështetet raporti i Komisionit Hetimor Kuvendor. Ky raport “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, i propozon Parlamentit shkarkimin e Kryetarit të Shtetit e lexohet nga Alket Hyseni.

Dokumenti voluminoz ka rreth 100 faqe ndërsa largimi i Metës nga detyra me kartonat e ligjvënësve duket i sigurt ndonëse mbetet të pritet intepretimi i Kushtetueses nëse Ilir Meta do ta mbyllë apo jo mandatin në korrik të vitit 2022.

Në Kuvendin e Shqipërisë me 122 deputetë, vetëm 7 prej tyre u deklaruan paraprakisht kundër. Ata i përkasin opozitës parlamentare dhe janë Fatjona Dhimitri, Elda Hoti, Adriatik Alimadhi, Korab Lita, Artur Roshi, Gjetan Gjetani e Suzana Topi ndërsa Ralf Gjoni ka bërë të ditur se do të abstenojë. Por kjo nuk duket të ketë asnjë ndikim në sigurimin e 94 votave të nevojshme për shkarkimin e Metës, që Partia Socialiste e ka konsideruar si “nevojë për të çliruar Presidencën nga një pengmarrje”. Maxhoranca e ka sqaruar se nuk synon të caktojë një emër nga radhët e saj.

Komisioni i Ligjeve mbështeti dhe gjeti të bazuar kërkesën e 49 deputetëve, të cilët kërkojnë shkarkimin e Metës, se sipas tyre:

Ka shkelur rëndë Kushtetutën me angazhimin e hapur në fushatë në krah të opozitës dhe kundër mazhorancës.

Me deklaratat dhe mesazhet e tij ka cënuar rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë: BE, SHBA.

Ilir Meta, para dhe gjatë zgjedhjeve, ka nxitur dhunë e urrejtje.

Kreu i Shtetit,nuk është paraqitur në asnjë prej seancave, pavarësisht thirrjeve që mori nga Komisioni Hetimor dhe nga deputetët e PS-së. Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022.

Në rast shkarkimi, Ilir Meta do të bëhet presidenti i parë i shkarkuar i Shqipërisë në epokën 30-vjeçare që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin 50-vjeçar dhe i hapi rrugë tranzicionit demokratik.