Aktualitet

Shkarkimi i Elisabeta Imerajt, Arens Çela drejtues i komanduar i Prokurorisë Tiranë!

Një ditë pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi, duke nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë, kryeprokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, ka caktuar Arenc Çelën si drejtues të komanduar të akuzës së kryeqytetit. Mbledhja e KLP-së zhvillohet në mesditë, por duket procedurë, ndërsa Çela rezulton kandidati i vetëm.

Në KPA, vendimin për Imerajn e lexoi dje kryesuesja e trupit gjykues Ina Rama:

Trupi gjykues, duke bërë një vlerësim të ndryshëm nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të situatës faktike dhe të zbatimit të ligjit, arrin në përfundimin që vendimi i KPK-së i datës 1 prill 2021, për subjektin e rivlerësimit Elisabeta Imeraj duhet të ndryshohet dhe subjekti i rivlerësimit të shkarkohet!

Sipas Kolegjit, “në vlerësim e të tri kritereve të parashikuara nga Vetting-u, rezultoi se zonja Imeraj ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”. Lidhur me pasuritë, trupi gjykues tha se konstatoi “deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm, si dhe mungesë të burimeve të ligjshme”.

Imeraj ka këmbëngulur se pasuritë që i atribuohen, i përkasin ish-bashkëshortit dhe se ajo vetë “ka zero pasuri”. Më tej, ngriti dyshime ndaj Kolegjit se “nuk mbajti qëndrim”, ndaj një titulli pronësie në emër të saj, për të cilin Kadastra ktheu përgjigje. Për gazetarët, Imeraj u shpreh:

Ky akt nuk rezulton të jetë lëshuar dhe nuk kam prona në pronësi apo bashkëpronësi.

Po sipas Kolegjit, probleme pati edhe lidhur me kontrollin e figurës, si dhe konstatoi mangësi në një çështje hetimore.

Vetë Imeraj përmendi faktin se ka qenë prokurore në çështje delikate, ku janë përfshirë politikanë, personazhe me emër të botës së krimit apo dhe çështje që lidhen me terrorizmin. Ajo këmbënguli se faktet dhe provat e marra në konsideratë nga trupi gjykues “nuk qëndronin” dhe se “vendimmarrja ishte bazuar në dokumenta të falsifikuar e denoncime anonime, të cilat e kanë prekur procesin që në fillim”. Po ashtu, ngriti dyshime mbi mënyrën e zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Nëse reforma, zbatimi i saj, është që të bazohemi në dokumenta me denoncime anonime dhe dokumentacione të falsifikuara, atëherë le të shkarkohem!

Vetting-u nuk duhet të kthehet në një gjueti shtrigash, sepse dikush mund të mos e dëshirojë Imerajn si kryeprokurore të Tiranës apo si prokurore në Shqipëri.

Avokati i saj, Gregory Thuan Dit Dieudonne paralajmëroi ankimim në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.