Bota Tech

Shkaktoi ndërprerjen globale të rrjetit, CrowdStrike paditet nga aksionerët e tij!

Kompania në qendër të ndërprerjes globale të IT muajin e kaluar është paditur nga disa prej aksionerëve të saj. Avokatët pretendojnë se kompania e sigurisë kibernetike CrowdStrike ka mashtruar investitorët duke fshehur të metat me testimin e softuerit të saj.

Padia vjen pasi një përditësim i softuerit nga kompania shkaktoi ndërprerjen e më shumë se 8 milionë kompjuterëve më 19 korrik. Gjithashtu, përditësimi goditi edhe mijëra biznese në mbarë botën, duke ndërprerë aeroportet, bankat, spitalet dhe transmetuesit.

Shefi i CrowdStrike, George Kurtz, u kërkoi falje të prekurve nga përditësimi dhe fajësoi një “bug softueri”, por pranoi se do të duhet pak kohë për të rregulluar plotësisht problemet.

Padia e cila është ngritur në Austin, Teksas, pretendon se garancitë e kompanisë për teknologjinë e saj ishin materialisht të rreme dhe mashtruese. Ajo vë në dukje se çmimi i aksioneve të CrowdStrike ra për 32% rreth 12 ditë pas ndërprerjes globale, duke larguar 25 miliardë dollarë të vlerës së saj të tregut.

Ankesa ligjore citon deklaratat e Kurtz gjatë një konference në mars, në të cilën ai e përshkroi softuerin e kompanisë si të vlefshëm, të testuar dhe të çertifikuar. Ndërkohë, një zëdhënës i CrowdStrike, tha: “Ne besojmë se këtij rasti i mungon merita dhe ne do ta mbrojmë me forcë kompaninë”.

Padia, e udhëhequr nga Shoqata e Pensionistëve të Qarkut Plymouth në Massachusetts, kërkon dëme të paspecifikuara për ata që ishin aksionerë në kompani midis 29 nëntorit të vitit të kaluar dhe 29 korrikut. Kompania mund të përballet me padi të mëtejshme për ndërprerjen.