Inxhinierja e njohur Luljeta Bozo, tashmë kandidate për deputete e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit, reagon për herë të parë pas zhurmës mediatike që shkaktoi me deklaratën e saj të fundit.
Reagimi i saj erdhi nga një intervistë në ‘RTSH’ ku u pyet për regjimin komunist.
Referuar kësaj deklarate të Bozos, përfaqësues të Partisë Demokratike thanë se ajo kishte shprehur vlerësimin e saj pozitiv për regjimin gjakatar të Enver Hoxhës, por vetë zonja Bozo sqaron së fundmi në një intervistë, se si fjalët e saj janë shtrembëruar për qëllime të ulëta politike.
Teksa e dënon me forcë diktaturën komuniste dhe refuzon cdo relativizim të krimeve të diktaturës, Bozo sqaron se vlerësimi dhe respekti i saj është vetëm për shkencëtarët dhe profesionistët e asaj kohe dhe gjithë popullin e thjeshtë që kanë punuar me ndershmëri.
Bozo ka edhe një mesazh për të gjithë ata përfaqësues të politikës që kanë shtrembëruar e deformuar në mënyrë të turpshme, deklaratën e saj:
Kush kapet pas Enverit për të sulmuar të tjerët është në fakt një zëdhënës i pavetëdijshëm i së keqes së asaj diktature. Shajnë, akuzojne dhe shtrembërojnë njësoj si xhelatët e mendimit ndryshe asokohe! Ekstremet përputhen dhe më kujtohet Vaclav që thotë: Komunisti më i zi është komunisti antikomunist! Kam vetëm keqardhje per ta, -thotë inxhinierja e njohur.