Edhe pse numri i pronave të shitura pësoi rënie gjatë gjysmës së parë të 2024-ës, çmimet vijojnë të rriten. Anketimi i bërë nga Banka e Shqipërisë tek agjentët imobiliarë në vend tregon se në gjashtë muajt e parë të vitit u shitën 928 prona, në rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pavarësisht kësaj indeksi Fischer që mat çmimet e banesave pas një ngadalësimi që pësoi në 2023-shin i është rikthyer rritjes. Kështu në gjashtëmujorin e parë ccmimet e banesave u rritën me 16.9% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, ndërsa në kryeqytet rritja ishte me 23.5% ndaj periudhës paraardhëse.
Banka e Shqipërisë thotë se arsyeja kryesore për këtë rritje janë kullat e ndërtuara në zonat qendrore të Tiranës, ndërsa ccmimet e banesave në bregdet dhe rrethe të tjera nuk kanë pësur ndryshime domethënëse.
Marrë parasysh rritjen e vazhdueshme të pronave në qendër të kryeqyteti, anketimi tregon se blerësit po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt pronave jashtë qytetit, në njësitë administrative si Sauk apo Farkë. Ndërkohë vijon fenomeni, ku vetëm gjysma e pronave u blenë me kredi bankare në gjashtëmujorin e parë, ndërsa për pjesën tjetër preferohet paraja cash. Agjentët raportuan edhe rritje të kërkesës për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare, si dhe rritje të çmimeve të qirasë.
Në rang kombëtar anketimi tregon se gati 1/3 e pronave u blenë nga shtetas të huaj, duke vijuar trendin e viteve të fundit ku blerja e pasurive të paluajtshme është zëri me vlerën më të lartë në investimet e huaja.
Sa i përket parashikimeve për të ardhmen agjentët imobiliarë janë optimistë për dy vitet e ardhshme ndërsa presin që çmimet dhe numri i pronave të shitura të vijojnë rritjen.
Top Channel