Progresi i pandalshëm i tregut të makinave elektrike mund të shihet qartë në Udhëzimin e Rishikuar 2022 të lëshuar nga General Motors për investitorët e saj. Kompania pret që grupi i saj i makinave elektrike me rritje të shpejtë do ta bëjë atë një investim fitimprurës në vitin 2025, me një kapacitet të planifikuar prej 1 milion makina elektrike që do të prodhohen çdo vit.
GM pretendon se është në një pozicion unik për të përfituar nga investimet e saj në departamentet për studim, zhvillim, dizajn dhe inxhinieri. E vërteta është se GM dhe prodhuesit e tjerë të mëdhenj të automjeteve ishin thjeshtë duke parë se si Tesla po fiton një numër të madh klientësh. Teksa prisnin, ata gjithashtu po përgatiteshin për hyrje në këtë treg, duke vendosur kontrata të zinxhirit të furnizimit, duke bërë plane për fabrika të reja dhe duke parë nga afër se si klientët po ndryshonin zakonet e tyre.
Në njoftimin zyrtar për shtyp nga GM thuhet se kompania do të ketë një makinë elektrike të pranishme në segmentet e kamionçinave, SUV-ve dhe makinave luksoze të cilat mbulojnë 70% të të gjithë vëllimit të industrisë së makinave elektrike në SHBA. Kompania po lançon një kanal të ri shitjesh digjitale për të marrë një kontroll më të afërt mbi përvojën e klientit dhe për të ulur kostot shoqëruese deri në 2,000 dollarë për makinë.
Të ardhurat e parashikuara nga shitjet e makinave elektrike për vitin 2025 do të arrijnë në 50 miliardë dollarë me 400,000 makina elektrike që do të prodhohen mes viteve 2022 dhe gjysmës së parë të vitit 2024. Duke filluar nga viti 2025, kapaciteti i prodhimit të makinave elektrike do të arrijë në 1 milion automjete. Prodhimi i parashikuar i baterive deri në vitin 2025 do të arrijë në 160GWh dhe 1.2 milion qeliza të baterive.