Shitet për 5.2 milion dollarë shtëpia nga filmi ikonik “Home Alone”, e cila ndodhet në Winnetka afër Çikagos. Shtëpia është rinovuar tërësisht dhe është zgjeruar në vitin 2018 dhe pronarët aktualë kanë jetuar në të për 12 vjet. Pronarët e rinj do të kenë në dispozicion pesë dhoma gjumi dhe gjashtë tualete. Përveç kësaj, shtëpia ka një kinema, si dhe një fushë sportive të brendshme.
Në momentin e xhirimeve të pjesës së parë të filmit “Home Alone”, kjo shtëpi luksoze i përkiste familjes Abendschien. Ata e zotëronin shtëpinë nga viti 1988 deri në vitin 2011, kur e shitën për 2.4 milionë dollarë. Kjo familje jetoi në shtëpi vetëm një vit e gjysmë kur e kërkoi Chris Columbus, regjisori i një prej filmave më të njohur të Krishtlindjeve.
“Ai na tha se shtëpia jonë është ideale për xhirime. Nuk e kishim idenë se filmi do të kishte një sukses të tillë,”-thanë pronarët më herët. Gjatë xhirimeve të “Home Alone”, ata kanë qëndruar kryesisht në dhomën e gjumit për rreth gjashtë muaj, ndërsa në pjesën tjetër të shtëpisë janë filmuar skena të njohura nga komedia.
Fansat e filmit, “Home Alone”, vetëm kohët e fundit kuptuan arsyen kryesore se pse prindërit e harrojnë Kevinin e vogël në shtëpi, përpara se të shkonin në një udhëtim dhe shumëkush. U deshën 32 vjet për ta kuptuar këtë gjë. Shikimi i këtij filmi për festat e fundvitit prej vitesh është pjesë e pandashme e festave, ndonëse kanë kaluar më shumë se tri dekada nga publikimi i tij.
Duket se fansave iu deshën saktësisht 32 vite për të vënë re arsyen pse protagonisti kryesor qëndron vetëm në shtëpi dhe është harruar nga prindërit. Një video e postuar në TikTok theksoi pikërisht këtë detaj dhe shumëkush u habit që nuk e kishin vënë re më herët.
Duke publikuar një video të Piter, babait të Kevinit, që i hedh plehrat në kosh, përdoruesi i TikTokut ka shkruar: “E kam shikuar ‘Home Alone’ gjatë gjithë këtyre viteve dhe nuk e dija që babai e ka hedhur biletën e Kevinit”. Në komentet poshtë videos, shumë të tjerë janë shprehur të habitur dhe të tronditur që e kishin parë shumë herë, por nuk kishin vënë re këtë detaj kyç.