Art & Kulturë

Shitet në ankand piktura e njohur e artistit gjerman Max Libermann!

Një pikturë e artistit gjerman impresionist, Max Liebermann u shit së fundmi në ankand në qytetin e Këlnit për 720,000 euro. Çmimi i vlerësuar ishte ndërmjet 700,000 euro dhe 1 milion euro. Vepra titullohet “Kopshti i birrës pranë Wannsee (Shtëpia në Liqen)” dhe përshkruan zonën e jashtme të një restoranti në brigjet e liqenit afër Berlinit me varkat me vela në sfond.

Ajo e ka origjinën nga një koleksion privat gjerman dhe është pjesë e veprave të mëvonshme të piktorit. Max Liebermann (1847-1935) ishte një nga impresionistët gjermanë më të rëndësishëm dhe një përfaqësues kryesor i skenës së artit gjerman gjatë Republikës së Vajmarit. Pas ardhjes në pushtet të nazistëve në 1933, ai u margjinalizua dhe u mënjanua si një hebre dhe një demokrat i përkushtuar, duke jetuar deri në vdekjen e tij në izolim dhe zhgënjim të thellë në vilën e tij në Wannsee.