Aktualitet

Shisnin mallra kontrabandë online, 4 të arrestuar!

Aksion policor kundër shitjes së mallrave kontrabandë, kryesisht online duke mos deklaruar shitjet në organet tatimore, si dhe duke futur mallra të dyshuara të kontrabanduara në vend. Pas kontrolleve në 13 subjekte në Tiranë, Durrës e Krujë, katër persona ranë në prangat e bluve në kuadër të këtij operacioni të koduar “Hidden money”.

Dy shtetas po procedohen në gjendje të lirë dhe tre janë në kërkim. Nga analizat e dërgesave postare të ndara në vite krahasuar me deklarimet e kryera nga çdo subjekt e krahasuar deklarimet në tatime me ato në postë, rezulton një diferencë totale prej 1 milion e 500 mijë eurosh.

Në kuadër të operacionit të koduar “Hidden money”, policia njofton se janë arrestuar shtetasit F.Xh., 28 vjeç, banues në Tiranë, K.K., 27 vjeç, banues në Tiranë, Y.I., 45 vjeç, banues në Paskuqan, M.V., 32 vjeç, banues në Durrës; janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit E.D., 36 vjeç, banues në Tiranë dhe E.M., 35 vjeçe, banuese në Tiranë;

Gjithashtu, sipas policisë po punohet për kapjen e shtetasve L.F., 32 vjeç, banues në Kavajë, F.Q., 34 vjeçe, banuese në Durrës dhe A.I., 47 vjeç, banues në Paskuqan.

Policia njofton se janë kryer kontrolle në 13 subjekte të ndryshme në Tiranë, Krujë dhe Durrës.

Sipas policisë, subjektet e lartpërmendura tregtonin mallra të ndryshme dhe kryenin aktivitetin e tyre kryesisht online, nëpërmjet rrjeteve sociale “Facebook”, “Instagram” dhe “TikTok”, duke mos deklaruar shitjet në organet tatimore, si dhe duke futur produkte kontrabandë në RSH.

Nga përllogaritjet e strukturave të Hetimit Tatimor, policia bën me dije se janë analizuar dërgesat e postës për secilin subjekt, duke i ndarë në vite dhe më pas janë krahasuar me deklarimet e kryera nga çdo subjekt e krahasuar deklarimet në tatime me deklarimet në postë, rezulton një diferencë totale prej 1 500 000 euro.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mallra të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, si dhe celularët e shtetasve të proceduar.