Një në pranga dhe një në hetim për shitje droge në plazhin e Velipojës, në vijim të operacionit policor “Tempulli 3”. Në pranga ra një 29-vjeçar me banim në Tiranë e nisi procedimi penal për një 28-vjeçar nga Pogradeci. U sekuestrua dhe lënda narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë Shkodër:
Velipojë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”.
Kapen në flagrancë 2 shtetas që shitnin doza cannabisi në zonën bregdetare të Velipojës.
Vihet në pranga njëri prej tyre, procedohet penalisht tjetri.
Sekuestrohet lënda narkotike cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se dy shtetas shitnin lëndë narkotike në zonën bregdetare të Velipojës, kanë organizuar punën në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Si rezultat i veprimeve policore, u kapën në flagrancë në afërsi të një lokali në Velipojë, me doza cannabisi të gatshme për shitje, shtetasit M.Th. dhe E. P.. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi M.Th., 29 vjeç, banues në Tiranë dhe nisi precedimi penal për shtetasin E.P., 28 vjeç, banues në Pogradec.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.