Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH bën të ditur se reshjet e shiut që vijuan gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, shoqëruar me rrebeshe lokale në rajonin verior, kanë sjellë rënie gurësh e inertesh në disa akse.
Sipas ARRSH-së, prezencë të inerteve kishte në Dushaj-Sheshi i Tragetëve, Bogë-Theth, Hani Hotit-Tamarë Skuraj-Burrel, Lezhë-Vau Dejes, Ura e Zapodit Shishtavec, Bajram Curri-Valbonë, Qafë Bualli-Ura e Cerenecit, Vau Dejes-Pukë-Kalimash, të cilat janë pastruar dhe qarkullimi vijon normalisht.
Kontraktorët e mirëmbajtjes, me mjete dhe punëtorë janë në terren dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e sotme vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me alternime vranësirash mesatare e të dendura ndërsa nuk mungojnë intervale të herëpasherëshme me diell.
Reshjet e shiut janë prezente që në orët e para të 24 orëshit, me intensitet të ulët e mesatar. Ato do të vijojnë të herëpasherëshme gjatë gjithë ditës në formën e shtrëngatave e po ashtu me rrebeshe të shpejta afatshkurtra, shoqëruar me shkarkesa elektrike e breshër. Në intervale të shkurtra kohore në veriperëndim dhe pjesërisht në qendër të vendit, shirat kanë intensitet deri të lartë, në formën e stuhive të cilat mund të shfaqen problematike.
Mjegullinë dhe shikim i reduktuar në orët e para të mëngjesit, si dhe në momentin e reshjeve. Era fryn nga kuadrati i perëndimit e me shpejtësi mesatare deri në 8m/sek. Përgjatë vijës bregdetare e në momentin e zhvillimit të vranësirave, hera-herës fiton shpejtësi 12-18m/sek. Deti është i forcës 3-4 ballë. Temperaturat kanë pësuar rënie të ndjeshme në të dyja vlerat. Ato luhaten në vlerat 10-24 gradë celcius.
Moti i keq ka goditur rëndë edhe Rumaninë duke shkaktuar pesë viktima. Më shumë se 100 të tjerë janë evakuuar, pasi pjesa lindore e këtij vendi u godit nga vërshime masive mbrëmjen e djeshme.
Qarqet Galati dhe Vaslui janë goditur më rëndë nga përmbytjet teksa njerëzit hipën në çatitë e shtëpive të tyre, duke pritur ekipet e shpëtimit që t’i evakuonin.
Shumë rrugë janë bllokuar në këto dy qarqe, ku niveli i ujit në disa vende ka arritur deri në 3 metra për shkak të shirave të rrëmbyeshëm. Nëntëmbëdhjetë fshatra në tetë qarqe janë prekur nga vërshimet sipas autoriteteve rumune.
Reshjet e shiut pritet që të godasin shumicën e rajonit në ditët në vijim. Autoritetet janë vënë në gatishmëri në Republikën Çeke, Poloni, Sllovaki, Hungari, në jug të Gjermanisë e në disa pjesë të Austrisë.