Anglia dhe Zvicra do luajnë sot duke nisur nga ora 18:00 në çerekfinalen e tretë të ‘Euro 2024’. Përballja në Dusseldorf pritet e fortë, teksa helvetikët me Granit Xhakën, kanë treguar se janë me meritë në këtë fazë dhe pasi eliminuan Italinë, kërkojnë biletën për në gjysmëfinale.
Përballë është Anglia e Southgate që ka pasur shumë talente dhe mbështetjen e një kombi që shpreson për një trofe, i munguar prej 1966. Tanimë shifrat flasin për “Tre Luanët”, ndërsa Zvicra beson te forca e Xhakës në mesin e fushës.
Kjo është ndeshja e 28-të mes tyre në histori, me bilancet që flasin për Anglinë. 18 herë kanë fituar “Tre Luanët”, kundrejt tre herëve të Zvicrës, ndërsa gjashtë duele janë mbyllur në barazim.
Si Gareth Southgate dhe Murat Yakin kanë bërë me dije edhe vendosjet në fushë. Gjykon italiani Daniele Orsato.
Formacionet zyrtare:
Angli: Pickford; Konsa, Stones, Walker; Saka, Rice, Mainoo, Trippier; Bellingham, Foden; Kane.
Zvicër: Sommer; Rodriguez, Akanji, Schar; Aebischer, Xhaka, Freuler, Rieder; Vargas, Embolo, Ndoye.