Aktualitet

Shifra rekord emigrantësh në Britani, veçohen shqiptarët!

Mes shqetësimeve të Londrës zyrtare për “shkërmoqjen” e sistemit të azilit dhe alarmit për emigracionin ilegal “jashtë kontrollit”, duke shënjestruar shqiptarët si të lidhur me krimin e që kanë “pushtuar” vendin, por pa veçuar kombësitë e tjera, autoritetet britanike saktësojnë shifrat. Ministria e Mbrojtjes:

Deri tani, numri i emigrantëve që kalojnë Kanalin Anglez për të mbërritur në Britaninë e Madhe, këtë vit ka arritur në më shumë se 40 mijë. 972 persona që udhëtonin në 22 varka, kaluan kanalin vetëm të shtunën e kaluar, duke çuar totalin në 40 mijë e 885 vetë.

Duke vënë në dukje se shifra shënon një rekord, dikasteri i Mbrojtjes në Londër, veçoi emigrantët shqiptarë, iranianë e ata afganë.

Gjatë gjithë vitit të kaluar janë regjistruar 28 mijë e 526 kalime të kanalit, edhe kjo një shifër rekord për kohën.

Siç dihet, shifrat në rritje po shtojnë presionin ndaj qeverisë britanike të kryeministrit Rishi Sunak, pasi Partia Konservatore në pushtet e ka bërë trajtimin e çështjes së emigracionit si prioritetin e saj kryesor. Po ashtu, kjo çështje është bërë shkak për rritjen e tensioneve me Francën, nga ku nis Kanali Anglez. Londra e Parisi po bëjnë përpjekje për të gjetur zgjidhje.

Për këtë qëllim, mëngjesin e sotëm nënshkruan një marrëveshje me vlerë prej 72.2 milion eurosh, me synim forcimin e kontrolleve policore. Në Paris, ministri francez i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, priti homologen britanike, Suella Braverman, për firmosjen e akordit më të zgjeruar. Në një deklaratë pas takimit, Braverman theksoi:

Eshtë në interesin e qeverive të Mbretërisë së Bashkuar e të Francës që të punojnë së bashku për të zgjidhur këtë problem kompleks.

Në një protestë të dy ditëve më parë, shqiptarë të mbledhur në qendër të Londrës i kërkuan kryeministrit Sunak, shkarkimin e Braverman-it, e cila ditë më parë, e cilësoi “pushtim” fluksin e emigrantëve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar. Organizata e Kombeve të Bashkuara reagoi me shqetësim, duke thënë se të tilla komente janë “të tmerrshme”.