Po qarkullojnë fjalë se deri në vitin 2050 çokollata ndoshta do të jetë zhdukur. Kjo pasi ajo është e vështirë për tu prodhuar. Kërkesa dhe konsumi global po rritet mbi sasinë e prodhuar. Deri në vitin 2030 do të ketë një deficit prej 2,000,000 tonësh dhe ekspertët thonë se deri në vitin 2050 çokollata do të jetë zhdukur. Tregjet si Kina, Rusia dhe India kanë nevoja të mëdha për çokollatë, ndërsa kalimi i botës perëndimore drejt fitnesit dhe ushqimit të shëndetshëm ka rritur në qiell kërkesën për çokollatë të zezë.
Dhe ndërsa çokollata e zezë mund të ketë veti të dobishme, ajo kërkon sasi më të mëdha kakao. Është vlerësuar se rreth 10 pemë kakao duhet të mbillen për konsumatorin mesatar perëndimor. Edhe këtu hyn në lojë ndryshimi i klimës. Pemët e kakaos kërkojnë kushte specifike të rritjes për të lulëzuar. Ato mund të kultivohen vetëm brenda një rrezeje prej rreth 20 gradë në veri dhe në jug të Ekuatorit, ku lagështia e lartë dhe reshjet e shpeshta janë një kusht i domosdoshëm. Me rritjen graduale të temperaturave për shkak të ndryshimeve klimatike, pemët e kakaos kërcënohen me zhdukje.
Më shumë se 50% e kokrrave të kakaos në botë prodhohen në dy vende të Afrikës Perëndimore, Bregun e Fildishtë dhe Gana, të cilat janë ndër vendet potencialisht të papërshtatshme për kultura të tilla, pasi ato janë ndër vendet që pritet të shohin një rritje të madhe të temperaturës.
Pra, e vetmja zgjidhje do të jetë zhvendosja e të mbjellave në zonat e tyre më malore, ku klima është më e freskët dhe më e lagësht. Megjithatë, siç është rasti për shumicën e vendeve të botës, zonat më malore përbëhen gjithashtu nga habitatet, pyjet kombëtare dhe zonat e mbrojtura. Për rrjedhojë, administratat e dy vendeve do të përballen me një dilemë të vështirë, kursimin e çokollatës apo mbrojtjen e mjedisit natyror.
Megjithatë, ana e errët e çokollatës gjendet në ankesat për kushtet e punëtorëve në vendet e Afrikës Perëndimore. Shfrytëzimi, skllavëria dhe puna e fëmijëve janë një ‘menu e përditshme’ për të nisur udhëtimin e çokollatës nga fushat drejt shijimit. Historia e errët e gjejmë në çdo histori fitimi. A ka një botë pa çokollatë? Sipas shkencëtarëve në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, ka shpresë. Në bashkëpunim me kompaninë ‘Mars’, ata kanë nisur një fushatë për t’i dhënë një zgjidhje ekologjike problemit.
Qëllimi i tyre është të ndryshojnë ADN-në e vetë pemës së kakaos me një proces kompleks të redaktimit të gjeneve të tyre, CRISPR, i cili do të lejojë disa lloje të fidanëve të mbijetojnë në kushte më të pafavorshme të motit. Ndërkaq, kur bëhet fjalë për zgjedhjen mes çokollatës dhe seksit, duket se shumë njerëz preferojnë ëmbëlsirën. Sipas një sondazhi, një në pesë persona do të preferonte një çokollatë sesa disa minuta kënaqësie seksuale.