Lajmet e fundit

Shfaqet në brigjet e Islandës ariu i rrallë polar, vritet nga Policia!

Një ari i rrallë polar që u shfaq jashtë një vile në një fshat të largët në Islandë u qëllua nga policia pasi u konsiderua një kërcënim. Ariu u vra në veriperëndim të Islandës pasi policia u konsultua me Agjencinë e Mjedisit, e cila refuzoi të zhvendoste kafshën. “Nuk është diçka që na pëlqen të bëjmë. Në këtë rast, siç e shihni edhe në foto, ariu ishte shumë afër një shtëpie verore. Aty ishte një grua e moshuar e cila ishte vetëm. Ajo u frikësua dhe u mbyll lart teksa ariu gërmonte nëpër mbeturinat e saj”-tha shefi i policisë së Westfjords, Helgi Jensson. Ajo kontaktoi vajzën e saj në Reykjavik, kryeqytetin e vendit, me lidhje satelitore dhe bëri thirrje për ndihmë.

“Arinjtë polarë nuk janë vendas në Islandë, por herë pas here dalin në breg pasi udhëtojnë në akull nga Grenlanda”- tha Anna Sveinsdóttir, drejtoreshë e koleksioneve shkencore në Institutin Islandez të Historisë Natyrore. Arinjtë janë një specie e mbrojtur në Islandë dhe është e ndaluar t’i vrasësh, por ata mund të vriten nëse përbëjnë një kërcënim për njerëzit ose bagëtinë.

Megjithëse sulmet nga arinjtë polarë ndaj njerëzve janë jashtëzakonisht të rralla. Një studim në Buletinin e Shoqatës së Kafshëve të egra në 2017 tha se humbja e akullit të detit nga ngrohja globale ka çuar më shumë arinj të uritur në tokë, duke rrezikuar njerëzit. Nga 73 sulme të dokumentuara nga arinjtë polarë nga viti 1870 deri në 2014 në Kanada, Grenlandë, Norvegji, Rusi dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat vranë 20 njerëz dhe plagosën 63 të tjerë, 15 ndodhën në pesë vitet e fundit të kësaj periudhe.