Komisioni Rregullator u mblodh sërish për të shqyrtuar projektvendimin “Për miratimin e rregullave për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve”. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Franc Nuri, propozoi që të hiqet togfjalëshi “dokument identifikimi i vlefshëm” për zgjedhësit në diasporë.
Kërkojmë që në dokumentet e identifikimit të mos përcaktohet nëse janë të vlefshëm apo jo.
Anëtari i Komisionit Rregullator, Dritan Çaka tha:
Duhet ta lejojmë një aplikim të qytetarit për të votuar me çfarëdolloj dokumenti identifikimi.
Kryetarja e Komisionit Rregullator, Ilirjana Nano ngriti pyetjen, nëse “do të votojnë me dokument të vlefshëm ose jo shtetasi shqiptar?”
Jemi 5 anëtarë dhe mund të kemi Akt Normativ të qeverisë, por ende nuk kemi një datë zgjedhjesh. A mund të thotë dikush sot? Unë them duhet të jetë me dokument të vlefshëm.
Anëtari i Komisionit Rregullator, Muharrem Çakaj deklaroi se këtë të drejtë e ka qeveria.
Këtë që ju shtruat për diskutim referuar kuadrit ligjor shqiptar e ka në dorë qeveria e Shqipërisë. Në zgjedhjet pararendëse, me vendim qeverie është shtyrë vlefshmëria, nuk e kemi ne në dorë, e ka qeveria. Të themi voton shtetasi shqiptar me banim brenda apo jashtë vendit s’e kemi ne në dorë. Qeveria shtyn vlefshmërinë.
Pas debateve, mbledhja u ndërpre. Më pas u njoftua shtyrja për ditën e hënë.
Përmes një shkrese zyrtare drejtuar ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon përcaktimin me akt të përbashkët të mënyrës si do bashkëpunohet mes KQZ-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për çregjistrimin nga lista e zgjedhësve brenda vendit të shtetasve që jetojnë jashtë territorit shqiptar.
Kërkesa vjen ndërsa KQZ-ja ka nisur punën përgatitore për mundësimin e zgjedhjeve nga jashtë Shqipërisë për parlamentaret e vitit të ardhshëm. Për mendim, komisioni i dërgoi ministrit Hoxha edhe projektudhëzimin e përgatitur. Sipas dokumentit, shtetasit që dëshirojnë të votojnë duhet të regjistrohen në listën e zgjedhësve jashtë vendit në përputhje me Kodin Zgjedhor e aktet nënligjore në fuqi.
Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptarë që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit dhe janë regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse. Kjo listë hartohet dhe përdoret rishtazi në secilën palë zgjedhje.