Aktualitet

Sherr pronësie mes dy familjeve në Hamallaj të Durrësit/I përfshirë një efektiv i Gardës që u përjashtua nga ky institucion!

Konflikt për motive pronësie mes dy familjeve në Hamallaj të Durrësit, policia shoqëron gjashtë persona, përfshirë një punonjës i Gardës, i cili qëlloi në ajër me armën e shërbimit. Nuk pati të dëmtuar nga të shtënat. Ngjarja ndodhi rreth mesdite ndërmjet anëtarëve të familjeve Nikolla e Kaçi që janë fqinj. Si pasojë e dhunës me përdorim të shkopave të bejsbollit morën lëndime tre vëllezërit Paulin, Kastriot e Sajmir Kaçi. Ata thanë se shkuan në mbështetje të babait të tyre të moshuar, i cili po kalonte në lagje kur Martin, Alfred, Petrit e Arben Nikolla i zunë rrugën duke e pyetur se përse i shihte dhe pas këtij debati e goditën.

Mësohet se shkak i sherrit janë konflikte të vazhdueshme për rrugën e lagjes të cilën banorët e kanë shtruar me paratë e tyre, si edhe disa rrethime që familja Nikolla kërkon t’i heqë.

Rreth orës 11:30, në Hamallaj, dyshohet se për motive pronësie, janë konfliktuar duke përdorur mjete të forta, anëtarët e një familjeje, shtetasit P. K., K.K. dhe S.K., me anëtarët e një familjeje tjetër, shtetasit A.N., P.K. dhe M.N.

Gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi M.N., punonjës i Gardës, ka qëlluar në ajër, me armën e shërbimit. Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë person.

Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt, në Komisariatin e Policisë Durrës.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, do të ketë njoftim të plotë.

Martin Nikolla, gardisti që u përfshi në sherrin në Hamallaj u përjashtua nga Garda e Republikës

Garda e Republikës është informuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës mbi përfshirjen e një efektivi të Gardës në një incident të dhunshëm në Hamallaj, ku dyshohet se inspektori M.N., ka përdorur edhe armën e shërbimit. Me urdhër të Ministrit të Brendshëm është bërë përjashtimi i menjëhershëm i këtij punonjësi, nga radhët e Gardës së Republikës. Ndërkohë Policia e Shtetit bëri ndalimin e tij.