Aktualitet

Sherr i rëndë në Palasë, dy persona shpallen në kërkim!

Një sherr i rëndë ka ndodhur në një lokal në Palasë, ku janë përfshirë disa persona. Nga pamjet e publikuara, shihet që përveç grushtet dhe shqelmave, janë përdorur gjithashtu dhe sende të forta, teksa një person bie në tokë dhe disa të tjerë i shkojnë për ndihmë. Policia ka raportuar se dy persona janë vënë në kërkim, të cilët kanë dhunuar 42-vjeçarin me inicialet L.K.

“Komisariati i Policisë Himarë referoi materiale në Prokurori dhe punohet për kapjen e shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Palasë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin L. K., 42 vjeç.

Në vijim të hetimeve të kryera nga grupi hetimor dhe këqyrja e pamjeve filmike, një pjesë e pamjeve janë bërë publike në rrjete sociale dhe në disa media, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një tjetër shtetas që dyshohet se është përfshirë në këtë konflikt, shtetasi G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S. dhe G. B. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt”, njofton policia.