Aktualitet Fol

Shërbimet që ofrohen në Shqipëri për fshirjen e ekspulsit janë oferta mashtruese?! Avokati i njohur në “Fol” nxjerr në dritë fakte…

Në episodin e parafundit të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio është trajtuar tema “I ndaluar në Shengen” ku në fokus kanë qenë ekspulset që vendosin vendet e zonës Shengen ndaj shtetasve shqiptarë.

Shtatë vitet e fundit 47 mijë shtetas shqiptarë janë dëbuar, deportuar dhe u është vendosur ndalim hyrjeje në vendet e Europës për një periudhë të caktuar kohore. Bashkë me atë që njihet si ekspulsi apo “largimi me forcë i të huajit’ për një afat nga dy vjet, pesë dhjetë ose i përhershëm në të njëjtën kohë, në Shqipëri ka lindur një fenomen i ri. Ofrimi i shërbimeve avokatore për ta shuar dëbimin administrativ dhe gjyqësor.

Pjesë nga intervista: 

Anila Hoxha: Zoti Bardhi, ne kemi parë dhjetëra studio avokatore të cilat ofrojnë një shërbim të tillë, pra shuarjen e ekspulsit dhe heqjen e kësaj ndalese. Është e mundur të hapen procese gjyqësore në Shqipëri me këtë objekt?

Krenar Bardhi:Fillimisht, dua të sqaroj se ekspulsi është një masë ndalimi e cila jepet nga vendet e Bashkimit Europian për persona të cilët kanë thyer rregulloren e Bashkimit Europian, sa i përket hyrjeve dhe daljeve në kufijtë e jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian. Ekspulset janë kërkesa apo janë vendime të cilat atakohen vetëm në gjykatat apo vetëm në organet shtetërore të Bashkimit Europian apo të shtetit, i cili e ka dhënë ekspulsin. Gjykatat shqiptare nuk kanë kompetencë dhe juridiksion për të trajtuar këto çështje.

Anila Hoxha: Pra, shërbimet që ofrojnë shumë avokatë në Shqipëri, për fshirjen e ekspulsit, pra për fshirjen e kësaj ndalesë, deri diku mund të rrezikojë se janë oferta mashtruese?Duhet të bëjnë kujdes shtetasit shqiptarë?

Krenar Bardhi: Po, shtetasit shqiptarë nga dëshira e madhe për të udhëtuar jashtë qoftë për nevoja sociale apo për nevoja ekonomike duhet të bëjnë kujdes më studiot e avokatisë apo me avokatët me të cilët ata ndërtojnë marrëdhëniet e tyre të shërbimit. Jo, të gjitha ekspulset hiqen. 90% e rasteve nuk hiqen përpara afatit.  Ka vetëm raste specifike të cilat janë të parashikuara në rregulloren e Shengenit, të cilat mund të hiqen. Përmend një rast, është rasti i martesave ku nëse një qytetar martohet me një shtetase të Bashkimit Europian, për shkak të lidhjes dhe krijimit të njësisë bazë të shoqërisë, e cila është familja, shteti, i cili ka dhënë ekspulsin mund të revokojë vendimin e ekspulsit para kohe. Duhet bërë kujdes, jo në të gjitha rastet mund të revokohet ekspulsi edhe me martesë. Një ndër këto raste ka të bëj kur personi ka patur rekorde të rënda kriminale të cilat përbëjnë rrezik për, le të themi, shtetin që ai ka marrë ekspulsin. Psh. nëse ai ka marrë, ka patur një vendim penal në Itali për 5 vite burgim dhe ka kërkuar me vendim gjyqësor që ky dënim prej 5 vitesh, t’i konvertohet me një ekspuls prej 10 vitesh, duhet të përfundohet detyrimisht afati 10 vjeçar sepse është vendim, i  cili ka bërë konvertimin e dënimit. Pra, rastet e ekspulseve nuk janë raste të rëndomta, siç trajtohet nga shumë kolegë të cilët do t’i ftoja të ishin të kujdesshëm me klientët e tyre duke iu thënë që “ne heqim çdo lloj ekspulsi”. Jo, nuk hiqet çdo lloj ekspulsi.