Në minutën e 7-të të ndeshjes (sa numri i tij në fanellë, CR7) Arsenal-Manchester United, tifozët në “Emirattes” e kanë ngushëlluar Cristiano Ronaldon me një duartroktitje të gjatë, si shenjë “homazhi” për djalin e tij që vdiq gjatë lindjes, këtë të hënë.
Një veprim i njëjtë si me atë në “Anfield” në mesjavë, ku vetë ylli portugez nuk ishte, sepse ndodhej në zi për humbjen e njërës nga foshnjat binjake. Kësaj here, CR7 i ka provuar emocionet e forta “live”, duke qenë në fushë.
Madje, disa minuta më vonë, ai ka ngushtuar rezultatin momental në 2-1 për vendësit, pikërisht në minutën e 34-t. Sulmuesi i “Djajve të Kuq” ia ka dedikuar golin foshnjës që nuk e pa dot dritën e kësaj bote me sy, fatkeqësisht, duke bërë me gishtin tregues nga qielli dhe duke parë andej, nga “Parajsa”.
Një moment shumë prekës edhe për tifozët në stadium, por edhe vetë Ronaldon, i cili është përlotur. Sidoqoftë, ky gol ka pasur disa “valenca”, që duhen përmendur.
Me “rrjetën” e sotme ndaj Arsenalit (në rezultatin momental 2-1 për ‘topçinjtë’), 37-vjeçari portugez ka rrumbullakosur 100 gola në Premier League.
Në këtë mënyrë, Cristiano Ronaldo bëhet lojtari i vetëm që ka shënuar 100+ gola në secilin nga kompeticionet e mëposhtme:
La Liga (311 gola)
Premier League (100 gola, i rrumbullakosi sot ndaj Arsenalit)
Liga e Kampionëve (140 gola)
Ai ka 115 gola edhe me Portugalinë, gjithashtu!