Rrjeti hekurudhor i shpejtësisë së lartë i Francës është goditur keq, i shënjestruar nga disa zjarrvënie vetëm disa orë përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike në Paris. Lajmin e konfirmoi operatori hekurudhor SNCF.
SNCF ishte viktimë e disa akteve të njëkohshme të dëmtimit me qëllim të keq e që prekën linjat e shpejtësisë së lartë.
Rruga për në “Stade de France”, një nga vendet e mbajtjes së Lojërave Olimpike, po mbahet e mbyllur.
Po zhvillohen riparime! Por, kufizimet mund të zgjasin deri në fundjavë.
Lojërat Olimpike të Parisit nisin zyrtarisht më 19:30 me një spektakël unik në mes të Senës duke shënuar ceremoninë e hapjes. Për herë të parë në historinë e Lojërave Verore, kjo ceremoni nuk do të mbahet në stadium. Më shumë se 200 delegacione kombëtare do të parakalojnë Senë përmes Parisit qendror duke shpalosur pamje nga Katedralja Notre-Dame, Luvri e Musée d’Orsay.
Pritet që ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit të jetë madhështore sot, por përbën edhe sfidë të madhe në aspektin e sigurisë. Rreth 2.000 pjesëtarë të forcave të sigurisë e 45.000 policë janë shpërndarë për të garantuar sigurinë e ceremonisë, përfshirë specialet që ndërhyjnë në situata alarmante. Snajperat qëndrojnë në çatitë e ndërtesave dhe u aktivizua sistemi anti-dron.
Spektatorët dhe banorët e Parisit duhet të kenë leje të posaçme dhe kodin QR për të hyrë në afërsi të zonës ku do të mbahet ceremonia. Qarkullimi i makinave ndalohet, përveç disa përjashtimeve të vogla. Stacionet e afërta në metro do të jenë të mbyllura, sikurse dhe kalimi në disa ura.
Avionët nuk do të mund të fluturojnë mbi Paris me përjashtim të atyre që do të jenë pjesë e ceremonisë. Luftërat në Gaza e Ukrainë, si dhe shqetësimet për sigurinë e brendshme e kanë bërë Francën që të ngrejë alarmin në nivelin më të lartë sa i përket aspektit të sigurisë.
Zyrtarët kanë thënë se nuk ekziston ndonjë kërcënim specifik për terrorizëm. Por, i vetmi kërcënim potencial mund të jetë prej ndonjë atentatori që mund të veprojë i vetëm ose edhe prej ndonjë proteste që mund të mbajnë aktivistë për mjedisin, ata të së djathtës ekstreme, të së majtës ekstreme ose edhe lëvizjet pro-palestineze.