Në një intervistë për emisionin Newsnight të BBC-së, kryeministri Rama deklaroi se “qasja e qeverisë britanike ndaj emigrantëve shqiptarë, nxit ksenofobinë”.
Mendova se puna ka arritur në atë pikë sa ishte e pamundur të mos reagoje. Ishte vërtet një pikë ku qytetërimi ynë u vu në një pozitë shumë të vështirë duke dëgjuar të lëshoheshin fjalë nga më të çmendurat që hidheshin dhe ku fjala “pushtim” shënoi kulmin.
BBC: Përse mendoni se sekretarja britanike për Punët e Brendshme përdor fjalë si “pushtim”?
Nuk është fjala thjesht për një person, por për klimën e krijuar dhe për gjetjen e një koke turku, pra të fajësimit të të tjerëve për çdo gjë të keqe që ndodh. Ndërkohë, që gjërat janë të qarta që nga Tirana, që nuk është afër Londrës. Çështja ka të bëjë me dështimin e politikave. Nuk është për shqiptarët apo jashtëtokësorët, gangsterët, por ka të bëjë me politika të dështuara për kufirin dhe krimin.
Çfarë mendoni se duhet të bëjnë?
Nuk e kam fjalën për atë që mendoj unë. Por, ka shembuj të qartë, ai i Gjermanisë. Disa vite më parë, ne kishim të njëjtin problem me Gjermaninë. Por, Gjermania lëvizi në drejtimin e duhur. Gjermanët asnjëherë nuk fajësuan shqiptarët dhe politikanët gjermanë nuk dolën të thonë se po na pushtojnë shqiptarët apo gjëra të tilla. Por, ata bënë një ligj ku Shqipëria përkufizohej si një vend i sigurt origjine.
Cilat mund të jenë pasojat e kësaj për shqiptarët të cilët janë vendosur në Britaninë e Madhe?
Natyrisht, kjo lloj gjuhe nuk paraprin gjëra të mira. Kjo lloj gjuhe nuk është politikë, nuk është program, nuk është vizion. Kjo nuk është gjë tjetër vetëm nxitje e ksenofobisë, vënie në shënjestër apo veçimit të një komuniteti dhe ecje në drejtim të kundërt të traditës britanike për integrimin e minoriteteve. Ishte një vend që ofronte një model për këtë çështje, ndërsa tani është bërë si një çmendinë.
Duket që jeni zemëruar shumë me këtë…
Jo, nuk jam fare i zemëruar. Unë jam një admirues i madh i Britanisë së Madhe. Kam miq dhe ndihem i privilegjuar që i kam atje. Dhe unë admiroj çdo gjë që përfaqëson Britania e Madhe. Por, njëkohësisht ndjej vërtet neveri për këtë lloj politike që më në fund është e paracaktuar të dështojë.
A do të jeni i gatshëm të punoni me agjencitë e Britanisë e Madhe për të zbutur disi bandat kriminale?
Ne punojmë tashmë me agjencitë e Britanisë së Madhe. Dhe problemi nuk janë as agjencitë dhe as profesionistët britanikë, por retorika e pakuptimtë politike. Ajo që kemi diskutuar shumë herë është për t’i bërë bashkë profesionistët, për t’i lënë ata të bëjnë punën e tyre, duke ndarë informacionet dhe duke ndjekur kriminelët e vërtetë, por jo të vësh në shënjestër të gjithë komunitetin dhe ta trajtosh atë si komunitet kriminal. Vetëm atëherë ne mund të kishim qenë shumë më të suksesshëm dhe mund të ndihmonim fëmijët, të cilët janë të manipuluar nga trafikantët.
Po në Shqipëri, a ka politika të dështuara që mund të kontribuonin për këtë çështje?
E dëgjoj shpesh këtë. Thonë se Shqipëria është vend me korrupsion e kështu me radhë. Shqipëria nuk është Britani e Madhe, Gjermani, por një vend që ka qenë viktimë për një kohë të gjatë e perandorive të ndryshme. Dhe ne jemi rrugës për t’u bërë një demokraci funksionale. Natyrisht, që kemi problemet tona. Por, duke mos qenë në rrjetin e BE-së, nuk jemi as në tregun e lirë të punës. Për këtë arsye, njerëzit kërkojnë mënyra të ndryshme. Por, po të shikoni sa njerëz të kombësive të ndryshme vijnë dhe ikin nga vende si juaji, atëherë arsyeja duhet kërkuar gjetkë. Arsye është atje ku fëmijë të vegjël britanikë nga zona periferike britanike dhe rrethinat ndjejnë nevojën e gjejnë shtysën të largohen nga shtëpia e tyre, të lënë fshatin e tyre, të ikin nga periferia, të largohen nga zonat e pashpresa dhe të vijnë në Londër. Në këtë rast, Shqipëria ka më shumë shpresë.