Rajoni

Shëndetësia e arsimi në veri, serbët të përgatitur për çdo skenar!

Pas mbylljes së disa institucioneve që funksiononin nën sistemin e Serbisë në veri të Kosovës, disa pjesëtarë të komunitetit serb shprehin frikën se autoritetet e Kosovës mund t’i mbyllin edhe institucionet arsimore e shëndetësore. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Sllagjana nga Leposaviçi tha se në veri janë “ndihen nën presion nga të gjitha anët” e po shpreson që të ketë një zgjidhje që do t’ua lehtësonte jetën qytetarëve të thjeshtë.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve, në kuadër të të cilave u arritën disa marrëveshje në Bruksel, por shumica e tyre nuk po zbatohen.

Sllagjana ka një fëmijë në klasën e parë në gjuhën serbe e për të është e paimagjinueshme që institucionet arsimore të funksionojnë jashtë sistemit serb.

Ne kemi të drejtën e arsimimit në gjuhën tonë, në shkollën tonë.

Në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë institucione, të cilat punojnë nën sistemin e Serbisë, përfshirë ato shëndetësore e arsimore. Për Prishtinën, nuk janë të ligjshme, por për pjesëtarët e komunitetit serb “kanë rëndësi të madhe për mbijetesë”.

Ministri për Komunitetet dhe Kthimin në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, shpreh besimin se këto institucione nuk po kërcënohen nga mbyllja e mundshme, por shton se serbët e Kosovës duhet të jenë të gatshëm për një skenar që “nuk do të na pëlqejë”. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai u shpreh:

Duhet që të planifikohen opsionet sepse nuk është çështja nëse do të ndodhë (mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë), por se kur do të ndodhë kjo. Gjithçka që na ka befasuar së voni, gjithçka që nuk e kemi ditur apo që Beogradi zyrtar na e ka fshehur, nuk do të thotë se nuk do të ndodhë, vuri në dukje ministri Rashiç.

Ndër të tjera, zyrtari shtoi se institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, të cilat financohen nga Buxheti i Serbisë e funksionojnë nën sistemin e saj do të duhet “të inkorporohen” në sistemin legjislativ të Kosovës. Kjo pasi marrëveshjet e arritura në Bruksel e parashikojnë një gjë të tillë.