Bota

Shembet papritur ndërtesa shekullore në qendrën financiare të Indisë!

Një ndërtesë disa-shekullore e stilit ornamental Rubbunnisa Manzil është shembur sot pjesërisht në qendrën financiare të Indisë, Mumbai, duke vrarë një njeri e duke plagosur katër të tjerë, njoftonin autoritetet e qytetit. Megjithëse ndërtesa e vjetër i kishte rezistuar shekujve të tërë përdorimi, ajo duket se u rrëzua nga periudha e shirave të shumtë në rajon që kanë shkaktuar disa shembje të strukturave më të dobëta.

Reshje të renda tropikale nisën mëngjesin e sotëm në Mumbai që kanë shkaktuar dëme dhe trazira në trafikun e qytetit. Shembja në Rubbunnisa Manzil la tragjikisht të vdekur një grua dhe katër njerëz të plagosur, teksa një pjesë e fasadës katër-katëshe u shemb në bulevard. Një zëdhënës i bashkisë për rrjetin AFP, i cili nuk mund të konfirmonte nëse kishte banorë të humbur apo të bllokuar në rrënoja, tha:

Gruaja që vdiq nuk ishte rezidente e ndërtesës.

Në imazhe të postuara në rrjet shiheshin grupe shpëtimi që punonin në shi për të pastruar mbetjet. Sezoni shirave tropikalë në Indi nis nga qershori deri në shtator dhe shpesh shkakton dëme nga përmbytjet dhe rrëshkitjet e tokës.

Ju rikujtojmë se në Indi, priftërinj hindu të veshur me shafran dhe anëtarë të grupit nacionalist Hindu Sena (Ushtria Hindu) performonin sot rituale zjarri dhe brohorisnin himne të fesë së tyre, duke u lutur për mirëqenien dhe jetën e gjatë të idhullit të tyre, ish-presidentit Donald Trump, pas tentativës ndaj jetës së tij në fundjavë. Në ceremoninë speciale të lutjes në tempullin në New Delhi ata kërkonin që “armiqtë e Donald Trump të dështojnë” dhe jepnin besimet për ish-presidentin.

Besimtarët e vendosur mbanin postera të Trump në prehërin e tyre mbi të cilat kryenin ritualet e dhe kishin oferta ushqimi e zjarri qirinjsh me lutjet e tyre. Drejtuesi ceremonisë Vishnu Gupta, fliste me entuziazëm për ceremoninë:

Siç e dini Donald Trump u sulmua dhe një plumb i gërvishti veshin, por ai edhe mund të kishte vdekur. Ky ishte një akt i njerëzve që nuk besojnë te paqja e humanizmi, por i atyre që janë të vendosur për xhihad. Ata nuk duan që Donald Trump të bëhet përsëri president i Amerikës.