Një turist ka vdekur ndërsa dy të tjerë janë zhdukur në jug të Islandës pasi akulli u shemb gjatë një vizite që grupi i tyre po bënte në një akullnajë, raportojnë mediat lokale. Një tjetër u plagos por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Akulli u shemb ndërsa grupi prej 25 personash po vizitonte një shpellë akulli së bashku me një guidë.
“Kushtet janë shumë të vështira në terren,”-tha shefi i policisë lokale Sveinn Kristján Rúnarsson. “Është në akullnajë. Është e vështirë të marrësh pajisje atje… Është keq. Gjithçka po bëhet me dorë.” Mediat lokale të lajmeve raportuan se 200 njerëz po punonin në operacionin e shpëtimit. Shpella e akullit është një destinacion popullor për turistët. Kolapsi nuk ka të ngjarë të ketë lidhje me një shpërthim vullkanik në Islandën juglindore të premten, rreth 300 kilometra larg nga akullnaja.