Aktualitet Politikë

Shefja e SHISH-it në Komisionin “TIMS”/Hyseni-Salianjit: Nuk iu shmanga raportimit!

Komisioni Hetimor parlamentar lidhur me rrjedhjen e të dhënave të TIMS-it po mban mbledhjen e radhës, nën drejtimin e demokratit Ervin Salianji. Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni po dëshmon me dyer të mbylluara.

Hyseni do të duhej të ishte në mbledhjen e datës 26 qershor, por nuk u paraqit për shkak se ndodhej në një vizitë në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel. Zyrtarja u shpreh se nuk i është shmangur raportimit në komision, duke hedhur poshtë kështu aludimet e mëparshme të Salianjit se ndodhej në kryeqytetin serb Beograd. Hyseni deklaroi:

E kishim të pamundur paraqitjen në datën 26, për shkak të një angazhimi të detyrueshëm të konfirmuar muaj më parë e që lidhej me dy arsye madhore, takimi me asistentin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për inteligjencën, për të diskutuar mbi çështje të sigurisë rajonale, si dhe për të folur lidhur me angazhimin e SHISH-it në kuadër të inteligjencës së NATO-s.

Një angazhim tjetër ishte paraqitja e drejtorit të SHISH-it në samitin e NATO-s në Uashington e që pritet të mbahet më 10 korrik. Në asnjë rast, SHISH-i apo drejtori nuk i është shmangur raportimit para komisionit. Kërkoj që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke pasur parasysh se flitet për problematika që lidhen me sigurinë kombëtare. Të mbrohen të dhënat e klasifikuara!

Salianji deklaroi:

Ju jeni sot këtu dhe nuk kemi çfarë të themi më shumë, përveçse nga çfarë kemi parë nga dokumentacioni i deritanishëm që disponojmë në raport me çështjen. Nuk shoh asnjë element që të përbëjë sekret shtetëror. Duke pasur parasysh që kemi të bëjmë vetëm me aspekte procedurale dhe aspekte që janë zbuluar në publik, propozoj që mbledhja të bëhet e hapur, në çdo rast që ka informacion të klasifikuar drejtoresha mund të kërkojë mbledhje me dyer të mbyllura.

Deputeti socialist, Xhemal Qefalia i kërkoi Ervin Salianjit që t’i kërkojë falje Hysenit pasi e akuzoi qëllimisht sikur ishte në Beograd kur në fakt ndodhej në Bruksel. Nga ana tjetër, Salianji i tha që të mos bëjë mbrojtësin e SHISH-it se “nuk i shkon”.

Qefalia: Duhet ta fillosh mbledhjen me një ndjesë publike për akuzat që bëtë ndaj drejtueses së shërbimit, duke e ngatërruar qëllimisht vendin e saj të takimit, nga Brukseli në Beograd. Kërkoji ndjesë pasi është ndër institucionet kryesore që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.

Salianji: Nuk dua ta kthej në këtë debat, se këtë pyetjen për Beogradin apo elementë të tjerë që kanë të bëjnë me veprimtarinë e SHISH-it e kemi në Komision Sigurie. Këtu kemi tjetër objekt. Po të doni e bëjmë, se gati jam të bëj dhe atë debat në lidhje me Beogradin. Nuk i shkon formatit tënd që të bëhesh mbrojtës apo të bësh si punonjës i SHISH-it se nuk je tipikisht si punonjës i shërbimeve inteligjente. Si sekretar, jo Byroje, mund të jemi në rregull. Nuk të shkon të bësh mbrojtësin e SHISH-it. Sot i kemi thirrur si dëshmitarë, jo për të raportuar mbi veprimtarinë.

Sot dëshmojnë edhe Florian Sulejmani, Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Ardi Veliu, ish- Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.