Celebrities Film & Tv

“She Said” – historia e ‘nxjerrjes lakuriq’ të Harvey Weinstein. Një film frymëzues për kohë jo-frymëzuese.

Plagët e shumë grave në industrinë e filmit janë akoma të hapura; historia e abuzuesit më famëkeq seksual në historinë e Hollywood-it vazhdon të shpërfaqet në lajmet e ditës, ndërsa “She Said” tregon fillimin e ortekut që e zuri atë poshtë njëherë e përgjithmonë. Filmi ka për regjisore Znj. Maria Schrader, një dramë me në fokus dy reporteret e ‘New York Times’ – Megan Twohey (Carey Mulligan) dhe Jodi Kantor (Zoe Kazan), një dramë sfilitëse, edhe pse historia e vërtetë ku ajo është bazuar, është larg përfundimit. Lufta e dy grave, dhe një institucioni të respektuar të fjalës së lirë, për të adresuar abuzimet e një njeriu dhe strukturave të varura prej tij (madje përtej tyre) është pak të thuash frymëzuese.

Prodhuar nga Brad Pitt, një ndër të paktët yje të industrisë së filmit që kundërshtoi Weinstein qysh në krye të herës, kur ky i fundit kërkoi të përfitonte nga e dashura e Pitt në atë kohë, Gwyneth Paltrow, filmi rrjedh shpejt duke rrëfyer të gjitha betejat e mëdha por të pa dukshme përpara asaj që do të kthehej në lëvizjen e mbiquajtur ‘Me too movement‘. Mulligan dhe Kazan shkëlqejnë me të njëjtën fuqi, po aq sa rolet mbështetëse të Samantha Morton, Jennifer Ehle dhe Ashley Judd, e cila luan vetveten për herë të parë në një film artistik [dhe me sigurit të fundit]. Prania e Judd në film i shton autenticitetin dhe besueshmërinë këtij prodhimi, duke qënë se ishte ajo e cila, si të vetmet aktore të kalibrit të saj foli e para për artikullin e NYT.

Filmi tregon me detaje se si e gjithë industria e filmit kishte mbuluar për dekada të tëra një grabitqar seksual krimet e të cilit janë akoma duke u gjykuar dhe duke u ndëshkuar, me një lloj ndjeshmërie të nevojshme dhe të arrirë nga ana e regjisores, me një zgjuarsi të hatashme. Janë këto vendime të zgjuara të saj për të peshuar me kujdes çdo skenë që i japin rrespekt ngjarjes. Kur bën një film bazuar në një ngjarje të vërtetë kjo është gjëja që bën dallimin.

Nëse përditësoheni me lajmet e aktualitetit është e pamundur të mos dini për rastin e peshkaqenit të Hollywood-it, një histori vërtet në kufijtë të pabesueshmes; ky film do t’iu pëlqejë. Nëse jo, ky film do t’iu bëjë të kërkoni më shumë për shpërhapjen e abuzimeve në vendin më demokratik në botë. Dy anët e demokracisë që tregon kjo histori të mpijnë.

Sepse të luftosh çdo ditë, pavarësisht se nuk fiton çdo ditë, është e rëndësishme. Drejtësia vjen!

Vonon, por vjen!