Bota

SHBA vendos raketat me rreze të gjatë në Gjermani, Moska kërcënon me armët bërthamore!

Moska nuk e përjashton vendosjen e raketave bërthamore në përgjigje të vendosjes së raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në Gjermani, u tha gazetarëve zëvendësministri i Jashtëm rus Sergej Ryabkov.

“Nëse zyrtarët nga qeveria federale gjermane besojnë se është e arsyeshme të kryejnë aktivitete nxitëse, duke përmendur atë që kemi në rajon, atëherë ne do të përgjigjemi me masa hakmarrëse që i konsiderojmë të përshtatshme”, theksoi diplomati i lartë.

Sipas Ryabkov, duke pasur parasysh kapacitetet e kombinuara të vendeve të NATO-s, Rusia duhet të kalibrojë përgjigjen e saj, pa ndjerë ndonjë “kufizim të brendshëm” në lidhje me atë se çfarë të vendosë, ku dhe kur. “Thënë kjo, ka një gamë të gjerë opsionesh. Nuk ka të bëjë me kërcënimin e askujt, është një mënyrë për të gjetur metodën më efektive për t’iu përgjigjur sfidave në ndryshim, veçanërisht për sa i përket kostove,” shtoi ai.

Gjermania është duke planifikuar që gati të përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën vitin e ardhshëm, prej rreth 8 miliardë eurove në rreth 4 miliardë, sipas një drafti të buxhetit të miratuar nga Qeveria.

Ministri i Financave, Christian Lindner, ka thënë se financat për Ukrainën “janë të sigurta për të ardhmen” për shkak të një skeme të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) për të krijuar një fond prej 50 miliardë dollarëve prej interesit të marrë nga asetet e ngrira ruse.

Gjermania është e dyta – pas Shteteve të Bashkuara – për ndihmën ushtarake që i ka ofruar Ukrainës, pas nisjes së pushtimit rus, më 2022.