Bota

SHBA, të paktën 36 të vrarë nga zjarret në Hauai!

Zjarret në Lahaina të Hauait të Amerikës, rëndohet bilanci, 36 viktima e dhjetëra të plagosur. 271 struktura u dëmtuan apo shkatërruan nga flakët e përhapura nga erërat e forta të uraganit Dora në ishullin Maui.

Pamjet tregojnë makina të djegura në rrugë e grumbuj rrënojash që nxirrnin tym aty ku ishin ndërtesat historike. Disa banorë u zhytën në oqean për të shpëtuar.  Presidenti Joe Biden urdhëroi angazhimin e mjeteve federale për të ndihmuar operacionet e kërkim-shpëtimit në Hauai.

Në fotot e publikuara gjatë natës, shihet një linjë flakësh mbi ndërtesat në qendër të Lahainës, qytet i themeluar në vitet 1700, i cili është në Regjistrin Kombëtar të Zonave Historike. Një video e xhiruar nga ajri pas lindjes së diellit tregon ndërtesa të lagjeve të tëra të shndërruara në hi e tym të dendur.

“Mos shkoni në Lahaina Town!”, theksohej në një postim në X, disa orë përpara se të gjitha rrugët brenda e jashtë komunitetit më të madh të pjesës perëndimore të ishullit të mbylleshin për të gjithë, përveç personelit të emergjencave. Më shumë se 2 mijë e 100 vetë e kaluan natën në qendrat e evakuimit.

Shërbimi Kombëtar i Motit raportoi se uragani Dora, që po kalonte në jug të ishullit në një distancë të sigurt prej 805 kilometrash, pjesërisht ishte shkaktar i erërave të forta që arritën shpejtësinë prej 97 kilometrash në orë. Ato shkaktuan ndërprerjen e energjisë elektrike, lëkundën shtëpitë e detyruan ndërprerjen e fluturimeve të helikopterëve që përdoreshin për shuarjen e zjarreve.

Dy ditë më parë, Roja Bregdetare shpëtoi 14 persona, përfshirë dy fëmijë, të cilët ishin hedhur në oqean për t’iu shmangur zjarrit e tymit. Era e fortë pengonte ngritjen e helikopterëve për të shuar zjarret.

Në një deklaratë, Biden theksonte:

Lutjet tona janë me ata që kanë parë shtëpitë, bizneset dhe komunitetet e tyre të shkatërruara.

Ish-presidenti Barack Obama, i cili ka lindur në Hauai, shkroi në rrjetet sociale se është e vështirë të shohësh disa nga pamjet që dalin nga një vend që është kaq i veçantë për shumë njerëz.

Zjarret ishin më të fundit në një seri problemesh të shkaktuara nga moti i skajshëm në gjithë globin këtë verë. Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës po rrit gjasat për dukuri të tilla.