Aktualitet Bota

SHBA: Të mos gënjejmë veten. Putini nuk do të ndalet në Ukrainë!

Ukraina ka vazhduar të rrëzojë dronët e nisur nga forcat ruse, të cilat kanë bërë edhe sulme me artileri për të bombarduar zonat e rajoneve kufitare. Ndërkaq sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin u zotua të martën se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Ukrainës në luftën kundër Rusisë, megjithëse Kongresi amerikan vazhdon të mos miratojë fondet për dërgimin e armatimeve të reja.

Mesazhi i sekretarit amerikan të Mbrojtjes iu drejtua udhëheqësve të mbi 50 vendeve nga Evropa dhe mbarë bota, të cilët janë mbledhur në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani.

“Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisin Ukrainën. Ky koalicion nuk do të lejojë që Ukraina të dështojë. Dhe bota e lirë nuk do ta lërë Ukrainën të dështojë”, tha ai.

Sekretari Austin paralajmëroi të martën se agresioni rus nuk do të ndalet me Ukrainën.

“Zonja dhe zotërinj, le të mos gënjejmë veten: Putini nuk do të ndalet në Ukrainë. Por siç ka thënë presidenti Biden, Ukraina mundet ta ndalë Putinin, nëse e mbështesim Ukrainën dhe i japim armët që i duhen për t’u mbrojtur. Rrezikohet mbijetesa e Ukrainës dhe e gjithë siguria jonë”, tha sekretari Austin.

Ukraina ndërkaq ka vazhduar të rrëzojë dronët e dërguar nga forcat ruse, të cilat kanë sulmuar edhe me artileri, duke lënë pas zona të tëra të shkatërruar në rajonet kufitare, si rajoni Sumy.

Takimi në Gjermani zhvillohet vetëm një javë pasi zyrtarët amerikanë të mbrojtjes arritën të mbledhin 300 milionë dollarë nga ulja e kostove të kontratave për të financuar ndihmat e radhës për Ukrainën, duke tërhequr armatim nga rezervat aktuale të Pentagonit.

Kjo ishte dërgesa e parë e armatimeve që nga dhjetori, megjithëse kushtet në fushëbetejë në Ukrainë janë rënduar gjithnjë e më shumë.

“Së bashku, grupi i kontaktit do të shtojë përpjekjet për të siguruar ndihmën jetike për Ukrainën. Republika Çeke ofroi rishtazi 800 mijë predha artilerie shumë të nevojshme. Gjermania, Franca, Danimarka dhe Suedia ka njoftuar rishtazi ndihma të reja të rëndësishme ushtarake. Këto janë investime për betejën e drejtë të Ukrainës ndaj agresionit rus. Dhe këto janë investime edhe për sigurinë tonë të përbashkët, për sigurinë evropiane dhe sigurinë globale”, tha sekretari Austin.

Kongresi amerikan vazhdon të jetë në ngërç për këtë çështje prej muajsh, megjithëse është paraqitur një projektbuxhet prej 95 miliardë dollarësh, nga i cili 60 miliardë dollarë janë propozuar si ndihma për Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë thonë se ekziston mbështetje e mjaftueshme dypartiake për ta miratuar këtë propozim, por një numër republikanësh e kundërshtojnë atë dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson refuzon ta përfshijë në kalendarin e votimit.