Bota

SHBA-të: Izraeli e arriti shumicën e qëllimeve të tij ushtarake në Gaza!

Uashingtoni po ushtron presion ndaj Izraelit, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës pas një propozimi për një marrëveshje armëpushimi të paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden. Drejtori i Komunikimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kirby tha për ABC News se “vetëm nga një perspektivë ushtarake… izraelitët kanë përmbushur shumicën e qëllimeve të tyre në Gaza”. Kirby theksoi:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë thënë se organizata militante palestineze Hamas, nuk ka kapacitete ushtarake. Ne nuk kemi thënë se ata nuk përfaqësojnë një kërcënim të qëndrueshëm për popullin izraelit. Por, ata nuk kanë aftësitë ushtarake për të bërë atë që bënë më 7 tetor të vitit të kaluar.

Tre ditë më parë, Biden prezantoi detaje të një projektmarrëveshjeje paqeje që parashikon tre faza të shmangies së përshkallëzimit, duke filluar me një armëpushim të plotë për gjashtë javë dhe një tërheqje të forcave izraelite nga zonat me popullsi të dendur në Gaza.

Marrëveshja përcakton planet për lirimin e pengjeve e të burgosurve, tërheqjen e Izraelit nga territori palestinez, si dhe rindërtimin e Rripit të Gazës.

Ndërsa Uashingtoni zyrtar vuri në dukje se Izraeli e ka miratuar planin, disa anëtarë të ekstremit të djathtë të qeverisë izraelite kërcënuan të shtunën e 1 qershorit se do të tërhiqen nga koalicioni i kryeministrit Benjamin Netanyahu në rast se akordi pranohet.

Pas fjalimit të Biden-it, Netanyahu përsëriti qëndrimin e qeverisë së tij se vendosja e parakushteve për paqen është shkatërrimi i lidershipit dhe aftësive ushtarake të Hamasit e kthimi i të gjithë pengjeve. Por, grupi radikal palestinez, Hamas këmbëngul që fillimisht t’i jepet fund luftës, përpara se të lirojë pengje të tjera.

Kirby theksoi se marrëveshja ishte një “propozim izraelit”. Ai shtoi po ashtu se Amerika pret që shteti hebraik të pajtohet me planin për një armëpushim nëse Hamasi bie dakord, duke shtuar se militantët duhet të japin një përgjigje zyrtare.

Ndër të tjera, Benjamin Netanyahu pranoi ftesën për t’iu drejtuar me një fjalim Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan. Në një deklaratë thuhet se “udhëheqësi izraelit është i emocionuar për privilegjin që të paraqesë të vërtetën e luftës së drejtë të Izraelit në Gaza”. Por, shteti hebraik po përballet me kritika në rritje për sulmet. Numri i viktimave palestineze po i afrohet shifrës 40 mijë, shumica gra e fëmijë.