Bota

SHBA, sot debati i parë dhe i vetëm i kandidatëve për zv.president!

Në SHBA, demokrati Tim Walz dhe republikani JD Vance, sot përballen në debatin e kandidatëve për zv.president, një mundësi që secili prej tyre të forcojë mesazhet e fushatës për votuesit, disa javë para zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Debati do zhvillohet në rrjetin CBS News, në Nju Jork e pritet të zgjasë 90 minuta. Ky do të jetë i treti i zgjedhjeve presidenciale pas përballjeve të kandidatëve për president Joe Biden e Donald Trump më 27 qershor dhe atij mes Kamala Harrisit e Donald Trump-it, më 10 shtator.

Ndërsa po afron fundi i fushatës zgjedhore për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, senatori republikan JD Vance dhe guvernatori demokrat Tim Walz do të zhvillojnë debatin e parë e të vetëm të kandidatëve për zv.president e që pritet të jetë edhe përballja e fundit për garën presidenciale të 2024-ës.

Debati në Nju Jork do të zhvillohet në një kohë kur zgjedhjet janë 5 javë larg, në disa shtete kanë nisur votimet e hershme dhe anketimet tregojnë se gara është tepër e ngushtë.

Ligjvënësi republikan Tom Emmer ka ndihmuar senatorin Vance që të përgatitet për debatin.

Ai mund të flasë për përmirësimin e ekonomisë gjatë drejtimit të Trump-it dhe se si e shkatërroi atë Harris e Biden. Mund të flasë si ndërhyri ai për të vënë situatën nën kontroll në kufi dhe ata e shkatërruan. Dhe sapo ta kuptojë që Tim Walzi do të përpiqet të anashkalojë çështjet, ai (Vance) do ta mbajë përgjegjës.

“Guvernatori i Minesotës është përpjekur të forcojë aftësitë e tij debatuese. Shpesh, mesazhi i tij përqëndrohet te rëndësia jetike që mund të kenë votimet e 5 nëntorit. E drejta për riprodhim pritet të jetë një nga pikat e forta ku do ta godasë Vance-in”, tha profesori i shkencave politike në Universitetin e Cikagos, Mark Hansen.

Ndaj Vance-it duhet të ushtrohet presion për të folur nëse si president, Trump do të nënshkruajë ndalim të abortit në nivel kombëtar apo se deri në cilën fazë të shtatzënisë do të lejohet aborti.

“Historikisht, debatet e kandidatëve për zv.president nuk kanë patur ndikim të madh, por këtë herë mund të jetë ndryshe”, thotë autori i librave dhe eksperti për debatet presidenciale, Alan Schroeder.

Edhe pse ata janë kandidatë për zv.president, gjithsesi, në njëfarë mënyre do të japin qëndrimet përmbyllëse. Do të jetë hera e fundit që do të shohim kundërshtarët përballë njëri-tjetrit dhe hera e fundit që gjithësecili të bëjë një krahasim mes tyre.

Sfida më e madhe për Vance-in është rritja e përkrahjes. Një anketë e fundit e agjencisë së lajmeve Associated Press dhe Qendrës për Hulumtim të Çështjeve Publike NORC tregon se rreth gjysma e votuesve të regjistruar kanë një pikëpamje jo të favorshme për senatorin e Ohajos, nga 40% që ndanin këtë mendim në muajin korrik.

Ndërkohë, Walz po përballet me kritika lidhur me shërbimin e tij në ushtri dhe zbatimin e politikave progresive në Minesota, teksa Vance përpiqet të tregojë se kandidati demorkat është shumë larg votuesve të zakonshëm.

Pak besojnë se kjo përballje mes kandidatëve për zv.president do të ketë të njëjtën peshë si debati i vetëm midis Trump-it e Harris-it, në një garë presidenciale kaq të ngushtë, ku çdo moment viral, i cili do të përhapej me shpejtësi në internet do të mund të mund të ndryshonte garën.