Paralajmërimet për një valë të nxehti ekstrem janë në fuqi për pjesën më të madhe të bregut perëndimor dhe rajoneve jugore të Shteteve të Bashkuara, ku miliona njerëz do të përjetojnë temperatura tejet të larta e një sërë shtetesh do të jenë në vëzhgim për një vapë përvëluese.
Shërbimi Kombëtar amerikan i Motit ka dhënë alarmin për 11 shtete, Arizona, Arkansas, Kaliforni, Luiziana, Misisipi, Nevada, Oklahoma, Oregon, Tenesi, Teksas dhe Uashington, duke shtuar thirrjet për kujdes. Paralajmërimet për një te nxehtë mbi normalen lëshohen kur termometri gjatë ditës shënon deri në 40 gradë Celsius, ndërsa temperaturat e ajrit gjatë natës nuk bien nën 24 gradë.
Në Oklahoma, Tenesi, Teksasin Lindor e Luiziana, paralajmërimi kishte hyrë në fuqi që në katër korrik.
Shtete të tjera si Arizona, Nevada dhe Oregoni do të përballen me përvëlimin edhe gjatë fundjavës, ndërsa për Washingtonin, paralajmërimet e të nxehtit mbytës zgjasin nga e shtuna deri të martën e ardhshme.
Kjo vlen edhe për zonën e Gjirit të Kalifornisë, ku disa rekorde ditore të nxehtësisë u thyen këtë javë, sikurse raporton NBC News. Kjo valë e madhe të nxehti pritet të zgjasë deri në 12 ditë, dhe mund të sjellë shtrirjen më të gjatë të temperaturave ekstreme në rajon në pothuajse dy dekada.
Sipas San Francisco Chronicle, edhe Lugina e Vdekjes mund të thyejë rekordin botëror të nxehtësisë gjatë fundjavës, me temperatura që mund të kapërcejnë 54 gradët Celsius. Njerëzit janë këshilluar të shmangin pijet alkoolike, ato me sheqer ose me kafeinë dhe të konsumojnë vakte të vogla dhe të shpeshta gjatë ditës, në vend të vakteve të mëdha e të rënda.