Rajoni

SHBA: Moszbatimi i marrëveshjeve, mundësi e humbur për Kosovën e Serbinë!

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha se Kosova dhe Serbia janë duke “humbur vërtet” mundësitë e tyre duke mos zbatuar marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun e Brukselit”. Kjo pasi dje dështoi të mbahej një takim i paralajmëruar tripalësh i liderëve të të dyja vendeve me shefin e diplomacisë së BE-së.

Takimet e Josep Borrellit me presidentin serb, Aleksander Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tregojnë si palët duhet të ripërkushtohen për t’i luftuar problemet e për t’i ndjekur mundësitë brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja, shkroi O’Brien në X.

SHBA-të që mbështesin dialogun e Brukselit, vazhdimisht iu kërkojnë palëve t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut. Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, konfirmoi se dje në Bruksel nuk u mbajt takimi tripalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, duke theksuar se “Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë”.

Në takimet dypalëshe, Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Kushtet e Kurtit ishin formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët përkatës të të dy shteteve, tërheqja e letrës zyrtare të dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, më 13 dhjetor 2023, si dhe dorëzimi i Milan Radoiçiçit e grupit të tij paramilitar “terrorist” te autoritetet gjyqësore të Kosovës, – tha Borrell gjatë një konference për media.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që u arrit më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj, më 18 mars 2023 në Ohër, nuk janë nënshkruar nga Kurti dhe Vuçiç sepse udhëheqësi serb nuk ka pranuar ta bëjë këtë, me gjithë këmbënguljen e liderit kosovar.

Asnjëra palë, nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshjeje. Akordi prej 11 nenesh, ndër tjerash parashikon një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje reciproke të simboleve shtetërore ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që po ashtu, t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë dialogut më herët.

Gjatë konferencës për media, Borrell u shpreh se Serbia nuk ishte e gatshme që të pranonte plotësisht kushtet e vendosura nga Kurti. Në takimet e ndara mes Borrellit e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me Kurtin dhe Vuçiçin, sipas Borrellit, “palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara”.

Pas takimeve në Bruksel, Kurti vuri në dukje se nga ndërmjetësit europianë, Kurti kërkoi “garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë, që mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve”.

Vetëm nënshkrimi i marrëveshjes sjell sigurinë ligjore dhe juridike në njërën anë e anulon shkeljet e mëparshme, tha Kurti.

Por, presidenti i Serbisë, Vuçiç deklaroi:

Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar, pyeteni atë, të më takojë dhe të bisedojmë.