Bota

SHBA, mblidhen 1.3 miliardë dollarë taksa të papaguara nga të pasurit!

Departamenti amerikan i Thesarit dhe Agjencia e Taksave njoftuan se kanë arritur të mbledhin 1.3 miliardë dollarë taksa të papaguara nga individë të pasur. Kjo mbi bazën e disa masave të reja të bëra të mundura nga fondi prej 60 miliardë dollarësh për modernizimin e sistemit të Agjencisë së Taksave (IRS), të përfshira në Ligjin për Reduktimin e Inflacionit.

Rëndësia e kësaj nisme

Republikanët në Kongres kishin paralajmëruar se do t’i anulonin fondet 10-vjeçare të IRS-it, të miratuara në vitin 2022, duke argumentuar se i vinin në mënyrë të padrejtë në shënjestër amerikanët lidhur me taksat. Kandidati republikan për president, Donald Trump u zotua të enjten të anulojë të gjitha fondet e pashpenzuara të Ligjit për Reduktimin e Inflacionit, ku përfshihen miliarda dollarë të destinuara për IRS-in.

IRS ka planifikuar të shpenzojë rreth 10.6 miliardë dollarë nga këto fonde deri në fund të vitit fiskal 2024, i cili përfundon më 30 shtator, duke lënë gati 50 miliardë dollarë që mund të anulohen. Por, ekspertë të buxhetit thonë se një veprim i tillë do të rriste defiçitin buxhetor federal me më shumë se 100 miliardë dollarë gjatë një dekade, pasi agjencia nuk do të mund të zbatonte masat e shtuara për kontrollin e taksave.

Çfarë thonë shifrat?

Departamenti i Thesarit tha se në 6 muajt e parë të një nisme të re për të vënë para përgjegjësisë 125 mijë individë të pasur që nuk kanë plotësuar formularët e taksave që nga viti 2017, arriti të mbledhë 172 milion dollarë nga 21 mijë persona.

Një nismë tjetër që kishte në qendër individë të pasur me më shumë se 1 milion dollarë të ardhura dhe 250 mijë dollarë taksa të papaguara, ka siguruar 1.1 miliardë dollarë për arkën e Thesarit. Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen tha se shkalla e auditimit për milionerët kishte rënë me 80% për shkak të shkurtimeve buxhetore në IRS.

Gjatë administratës të mëparshme (të ish-presidentit Trump) ndërsa kontrolli ndaj taksapaguesve me të ardhura të larta u reduktua, kontrolli mbi taksapaguesit me të ardhura nën 200 mijë dollarë u rrit. Në vitin 2019, 1% e amerikanëve, më të pasurit, u vlerësua se ishin përgjegjës për mbi një të pestën e taksave të papaguara, çka do të thotë se amerikanët e zakonshëm mbajtën barrën kryesore financiare.