Rajoni

SHBA, link donacionesh për FSK, reagon ambasada e Kosovës: Është mashtrim!

Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara ka njoftuar qytetarët se një link i cili ishte shpërndarë nga disa bashkatdhetarë në SHBA, nuk ka të bëjë asgjë me donacionet për Fondin e Sigurisë së Kosovës dhe se është vetëm mashtrim.

Në njoftimin e bërë nga ambasada e Kosovës në SHBA thuhet se e vetmja formë për donacion për FSK është përmes llogarisë në Bankën Qendrore të Kosovës, llogari për Fondin e Sigurisë. Në fund të janarit, katër organizata joqeveritare në Kosovë kërkuan nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe nga Agjencia për Privatësi dhe Informacion që të bënte publike informacionet që lidhen me Fondin e Sigurisë.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim në mars të vitit 2022 për themelimin e Fondit të Sigurisë, ku qytetarët dhe donatorët e ndryshëm mund të kontribuojnë për forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që është në proces të transformimit në ushtri. Informacionet për Fondin e Sigurisë janë konfidenciale, në bazë të një vendimi të ish-drejtorit të Thesarit, Ahmet Ismajli.

Në vendimin e tij ishte thënë se këto donacione janë të dedikuara vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe “hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë”.

Por, organizatat joqeveritare evidentuan se klasifikimi i këtyre të dhënave është bërë me Ligjin tashmë të shfuqizuar për klasifikimin dhe verifikimin e sigurisë. Katër organizatat e shoqërisë civile, thanë se donacionet në Fondin e Sigurisë bëhen në mënyrë vullnetare dhe prandaj paratë e mbledhura “konsiderohen para publike (Neni 2 i Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë)”.