Aktualitet

SHBA-Karta e Adriatikut, konferenca e ushtarakëve të lartë/Në Tiranë edhe gjenerali amerikan Cavoli!

Në Tiranë po mban punimet Konferenca e 27-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut (A-5), me fokus zhvillimet dhe dinamikat në mjedisin e sigurisë në rajon e më gjerë. Po ashtu, rritjen e shpenzimeve të Mbrojtjes mbi pragun 2% të Produktit të Brendshëm Bruto. Kjo si një mënyrë për të përmbushur objektivat e kapaciteteve të Aleancës dhe objektivat e planifikimit e rishikimit të NATO-s për vendet partnere.

Kreu i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (EUCOM) dhe Forcave Supreme Aleate për Europën (SACEUR), gjenerali Christopher G.Cavoli, deklaroi se Konferenca e Kartës së Adriatikut synon të çojë përpara parimet dhe vlerat themelore të OKB-së.

Kjo është Konferenca e 27-të e Kartës së Adriatikut. Eshtë një organizim shumë i mirë për ne që të kemi dialog dhe të përqendrohemi tek kjo pjesë kritike e Europës. Kombet këtu janë të gjitha të angazhuara për të çuar përpara parimet e kartës së OKB-së dhe vlerave themelore, të cilat për ne janë shumë të shtrenjta.

Kjo konferencë është një themel dhe punë për ne që të shkojmë përpara për një të ardhme me prosperitet. Partneriteti ynë i vazhduar, jo vetëm me njëri-tjetrin, por ndër të gjithë ne, mbështet këtë synim të përbashkët.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji tha se “krijimi i kushteve për Kosovën për t’iu bashkuar iniciativës si një vend demokratik dhe me një orientim të palëkundur drejt integrimit euroatlantik do të sillte një vlerë të shtuar jo vetëm për këtë iniciativë, por edhe në sigurinë e stabilitetin rajonal”.

Kompleksiteti i sotëm i sigurisë dhe në mënyrë të veçantë lufta e paprovokuar e Rusisë në Ukrainë ka ndikuar negativisht në zonën euroatlantike e në rajonin tonë, duke nxjerrë në pah rolin e pazëvendësueshëm të bashkëpunimit ushtarak.

Misioni ynë në këtë iniciativë nuk përfundoi me anëtarësimin në NATO, që ishte një arritje madhore dhe në të njëjtën kohë përgjegjësi për të çuar më lart vlerën në të cilën është ndërtuar aleanca për të kontribuar për sigurinë, stabilitetin e rajonit dhe mbrojtjen kolektive në rast nevoje.

Përveç ofrimit të mbështetjes në procesin e anëtarësimit dhe zgjerimit të iniciativës, së bashku morëm përsipër angazhimin për të kontribuar në misionin e NATO-s në Irak, eksperiencë e cila duhet zgjeruar me misione apo fusha të tjera. Bashkëpunimi dhe partneriteti rajonal përbëjnë fusha të rëndësishme të politikës së mbrojtjes.

Kam besim se shkëmbimi i ideve gjatë kësaj konference do të jetë produktiv e një mundësi e mirë për të thelluar partneritetin dhe zgjeruar marrëdhëniet ekzistuese e që të hartojmë një rrugë dhe një të ardhme më të sigurt për vendet e njerëzit tanë.