Bota

SHBA-ja akuzon kompaninë Google për mashtrim!

Shtetet e Bashkuara argumentuan të martën se Google nuk kishte vepruar sipas rregullave në përpjekjet e kësaj kompanie të teknologjisë për të mbajtur dominancën në kërkimet online. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, kompania pagoi 10 miliardë dollarë që rivalët më të vegjël të mos ishin kurrë tërheqës për përdoruesit.

“Ky rast ka të bëjë me të ardhmen e internetit”, tha Kenneth Dintzer, përfaqësues i Departamentit të Drejtësisë. Ai, gjatë gjykimit në Uashington, tha se Google më 2010 nisi të ruante, në mënyrë të paligjshme, monopolin.

Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka akuzuar kompaninë Google se çdo vit ka paguar miliarda dollarë për prodhuesit e pajisjeve sikurse Apple Inc, për kompanitë e internetit sikurse AT&T dhe shfletuesve sikurse Monzilla për t’i dhënë motorit të kërkimit të Google hapësirë në treg prej 90 për qind.

Për më tepër, Dintzer tha se Google ka mashtruar në ankandet për reklamat e vendosura në internet, në mënyrë që të rrisë çmimet për reklamuesit.

“Shkalla e mashtrimit ka rëndësi dhe Google në mënyrë të paligjshme ka mbajtur monopolin për më shumë se një dekadë”, tha Dintzer. Ai tha se ka konkurrencë serioze, Google nuk iu përkushtua aq shumë inovacionit dhe i kushtoi më pak vëmendje shqetësimeve të tjera, sikurse është privatësia.

Ai tha se Departamenti i Drejtësisë ka të dhëna se Google ka ndërmarrë hapa për të mbrojtur komunikimet lidhur me pagesat që i bënte kompanive sikurse Apple. “Ata e dinin se këto marrëveshje i kalonin kufizimet e ligjit të konkurrencës”, tha ai.