Bota

SHBA, J.D. Vance sot prezantohet në Konventën Republikane!

I përzgjedhuri për kandidat për nënpresident të SHBA-ve, J.D. Vance, sot do të prezantohet para publikut kur t’i drejtohet Konventës Kombëtare Republikane. Vance u përzgjodh këtë javë nga ish-presidenti Donald Trump, i cili do të garojë për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, kundër presidentit aktual, Joe Biden.

Fjalimi i Vances-it, senator nga Ohajo do të jetë i pari i tij si kandidat republikan për numrin dy të Shtëpisë së Bardhë.

AP shkruan se ai është pak i njohur politikisht, por se “me shpejtësi është shndërruar nga një kritik i ashpër i Trump-it, në një mbrojtës agresiv”.

Trump, si kandidat i nominuar për president do t’i drejtohet Konventës Republikane të enjten, pra nesër, në natën e fundit të saj. Pak ditë më parë, ai tha se e ka rishkruar krejtësisht fjalimin, pas atentatit të 13 korrikut.

Në vend se të kritikojë presidentin aktual, Joe Biden, Trump tha se do të përçojë mesazhe uniteti. Trump, 78 vjeç, u plagos në vesh teksa fliste në një tubim në Batler të Pensilvanisë. Sulmuesi i dyshuar i tij, Thomas Crooks, 20 vjeç, u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret, por motivi i tij mbetet i paqartë.

Nga të shtënat u vra një person, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë.

Do të jetë një fjalim krejt ndryshe. Kjo është një mundësi për ta bashkuar vendin. Mua më është dhënë kjo mundësi, tha Trump duke paralajmëruar fjalimin e së enjtes.

Një informator u tha autoriteteve amerikane se Irani po bën komplot për të vrarë ish-presidentin amerikan, Donald Trump, siç raporton CNN, duke cituar burime në dijeni për këtë çështje. Në përgjigje, Shërbimi Sekret i SHBA-ve e rriti sigurinë rreth Trump-it me agjentë shtesë kundër-sulm e kundër-snajper, dronë e qentë robotikë, siç njofton rrjeti televiziv.

Sipas të njëjtit burim, Thomas Matthew Crooks, i cili u përpoq ta vriste Trump-in më 13 korrik, nuk duket se ka pasur lidhje me komplotin iranian. Ish-zyrtarë të administratës Trump, përfshirë këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, John Bolton dhe sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, thuhet se gjithashtu kanë marrë kërcënime nga Irani.

Kjo pasi Qasem Soleimani, ish-komandant i Forcave elitare Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit u vra në janar të vitit 2020 në një sulm të forcave amerikane, nën komandën e presidentit të atëhershëm, Trump. Irani u zotua se do të hakmerrej.