Bota

SHBA-Izraelit: Shqyrtoni operacionet ushtarake në Gaza me strategji politike!

Jake Sullivan, këshilltar i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan, Joe Biden, sërish i bëri thirrje qeverisë izraelite të rishqyrtojë operacionet e saj ushtarake në Rripin e Gazës me një strategji politike. Sullivan u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe presidentin Isaac Herzog në Jerusalem.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, strategjia e sugjeruar synon të sigurojë një humbje të qëndrueshme të organizatës militante palestineze Hamas, lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë e po ashtu një të ardhme më të mirë për Rripin e Gazës.

Më herët, Sullivan princin e kurorës dhe sundimtarin de facto të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.

Prej disa kohësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Izraelit të paraqesë një strategji për administrimin e territorit bregdetar palestinez duke paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e një sulmi në shkallë të gjerë në qytetin Rafah, që ndodhet në Rripin jugor të Gazës, në kufirin me Egjiptin.

Në platformën X, Netanyahu shkroi pas takimit se u diskutua në detaje për vazhdimin e luftës në Gaza, veçanërisht për afrimin në Rafah dhe për intensifikimin e përpjekjeve humanitare në Rripin e Gazës.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Sullivan propozoi gjithashtu një sërë masash për të siguruar më shumë ndihma në Rripin e Gazës e diskutoi hapat për të krijuar korridore brenda zonës bregdetare, për të siguruar që ndihma të shkojë të gjithë civilët në nevojë.

Kabineti i luftës në Izrael duhet që deri më 8 qershor, të përgatisë një plan veprimi për luftën. Ky është ultimatumi i ministrit të Kabinetit të Luftës, Benny Gantz, drejtuar kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Ju duhet të zgjidhni … nëse nuk zgjidhni, ne do të largohemi nga qeveria!

Gantz nuk e mohoi zgjedhjen për të hyrë në qeverinë e kohës së luftës pas 7 tetorit 2023 në ultimatumin e tij drejtuar Netanyahut, teksa theksoi se “gjërat shkuan mirë për një kohë të gjatë, por së fundmi diçka ka shkuar keq”.

Përplasjet me armë zjarri dhe bombardimet, dje tronditën qytetin Rafah në pjesën jugore të Gazës, thanë dëshmitarët. Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se ndihmat e para humanitare kishin hyrë në territorin e rrethuar përmes një platforme pluskuese të ndërtuar nga ushtria amerikane.

Luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë janë ndezur përsëri në pjesën veriore të Gazës ndërsa kanë kaluar mbi 10 ditë që kur ushtria izraelite njoftoi fillimin e një operacioni të kufizuar në Rafah.

Pati luftime intensive në kampin e refugjatëve në Jabalia. Të premten e 17 majit, ushtria izraelite njoftoi për luftimet më të ashpra në më shumë se shtatë muaj luftë.

Militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar duke vrarë 1 mijë e 200 njerëz dhe morën peng më shumë se 250 të tjerë, sipas Izraelit, çka shkaktoi ndërhyrjen në shkallë të gjerë në territorin palestinez. Izraeli është zotuar ta shkatërrojë Hamasin, grupin radikal palestinez të shpallur “terrorist” nga Amerika dhe BE-ja.

Ushtria izraelite ka goditur militantët e Hamasit në pjesën veriore të territorit ndërsa në jug, ata sulmuan tanket izraelite që po grumbullohen rreth qytetit Rafah.