Bota

SHBA, Harris nuk humb kohë: Zgjedhje me një kriminel të dënuar!

Zv.presidentja amerikane, Kamala Harris, tha se zgjedhjet presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara do të jenë zgjedhje mes një ish-prokuroreje e një “krimineli të dënuar”. Me këtë të fundit, Harris e cila pritet të konfirmohet si kandidate e Partisë Demokrate, iu referua rivalit të Partisë Republikane, Donald Trump. Komentet i bëri në të parin tubim të saj zgjedhor në Uiskonsin.

Një ditë më parë u bë e qartë se ajo ka mbështetjen e shumicës së delegatëve demokratë, për t’u nominuar si kandidate për presidente. Presidenti aktual, Joe Biden, i dha mbështetje, pasi më 21 korrik, ai vetë u tërhoq nga gara për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Duke folur para mijëra mbështetësve në Uiskonsin, Harris e krahasoi Trump-in me “mashtruesit” që si ish-prokurore i ka ndjekur penalisht. Gjatë fjalimit, parashtroi dhe një sërë prioritetesh liberale që tha se do t’i ketë nëse zgjidhet presidente, përfshirë kontrollin e armëve e të drejtën e abortit.

A duam të jetojmë në një vend të lirisë, ndjesisë dhe sundimit të ligjit, apo në një vend të kaosit, frikës dhe urrejtjes?

Trump reagoi me një postim në rrjetet sociale, ku shkroi se “Kamala Harris gënjen” dhe se “shkatërron gjithçka që prek”. Në muajin maj, ish-presidenti u dënua për ndikim të paligjshëm në zgjedhjet e vitit 2016 e përballet me disa procese gjyqësore të tjera.

Në një tjetër zhvillim, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, sot do t’i drejtohet kombit, në të parin adresim publik që kur hoqi dorë nga kandidatura e tij për t’u rizgjedhur duke mbështetur zv.presidenten Kamala Harris për ta zëvendësuar si kandidate presidenciale demokrate.

Fjalimi i Biden-it në Zyrën Ovale është planifikuar për sonte në orën 20:00 me atë lokale. 81-vjeçari Biden, ka qenë larg syve të publikut që nga fundi i javës së kaluar pasi ai njoftoi se ishte prekur nga COVID-19/ta.

Ndërkaq, presidenti nuk ka folur para kamerave që nga vendimi i tij i të dielës së kaluar për t’u tërhequr nga gara presidenciale e 5 nëntorit 2024.  Biden u përball me presionin e përshkallëzuar për t’u larguar  nga brenda partisë së tij sidomos pasi numrat e sondazheve treguan se mbështetja e kandidatit republikan Donald Trump po rritej në shtetet rëndësishme të fushëbetejës.