Kandidatja demokrate për presidente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris dhe emri i përzgjedhur prej saj për zv.president i demokratëve në presidencialet e nëntorit, guvernatori i Minesotas, Tim Walz, për herë të parë bënë fushatë së bashku në Filadelfia, një ditë më parë.
Në fjalimin e tij para një turme prej më shumë se 10 mijë personash në Universitetin Temple, Walz tregoi për fëmijërinë në një qytezë të vogël në Nebraska, për shërbimin 24-vjeçar në Gardën Kombëtare Ushtarake dhe për karrierën si arsimtar në një shkollë të mesme e si trajner futbolli.
Nxënësit më nxitën të garoja për një post publik. Te unë panë atë që shpresoja të rrënjosja te ta: angazhimin për të mirën e përbashkët dhe besimin se një person mund të bëjë dallimin.
Gjatë fjalimit, kritikoi kandidatin republikan për president, Donald Trump dhe senatorin JD Vance, i cili do të jetë numri dy i Shtëpisë së Bardhë nëse fiton Trump.
Ai tallet me ligjet tona, mbjell kaos dhe ndarje. Ngriu gjatë krizës me COVID-in, e përplasi në tokë ekonominë tonë dhe numri i krimeve të dhunshme ishte i lartë gjatë [mandatit presidencial] të Donald Trump-it. Le të mos i numërojmë krimet që ka kryer.
Kamala Harris hyri në garën për Shtëpinë e Bardhë pasi presidenti Joe Biden u tërhoq nga mundësia për rizgjedhje para pak më shumë se dy javësh.
Walz kritikoi politikat e republikanëve për kufizimin e të drejtave riprodhuese të grave, një temë që po shoqëron republikanët që kur Gjykata e Lartë Amerikane i dha fund të drejtës kushtetuese për abort, në vitin 2022.
Edhe nëse ne nuk bëjmë një zgjidhje të tillë për vete, është një rregull i artë: shikoni punën tuaj, vuri në dukje Waltz në kohën kur kjo deklaratë u prit me ovacione nga të pranishmit.
Harris, e cila foli para Walzit, e prezantoi si bashkëshort, baba, mësues, trajner, veteran, ligjvënës e guvernator dhe në fund tha se pas zgjedhjeve të 5 nëntorit, ai do të bëhet zv.presidenti i ri i SHBA-ve.
Eshtë një njeri që i bën të tjerët të ndihen mirë dhe i frymëzon të kenë ëndrra të mëdha, u shpreh Kamala Harris.