Bota

SHBA, Gjykata e Lartë ruan aksesin e grave te pilula e abortit!

Në Shtetet e Bashkuara, Gjykata e Lartë vendosi të ruajë aksesin te pilula që përdoret për abort, deri në përfundimin e një procesi gjyqësor mbi këtë çështje. Në këtë mënyrë, Gjykata vendosi pro kërkesave urgjente të administratës Biden dhe prodhuesit të ilaçit mifepriston, për të mos lejuar zbatimin e një vendimi të gjykatës së një shkalle më të ulët, që synonte ta ndalonte pilulën në të gjithë Amerikën.

Administrata Biden dhe “Danco Laboratories” me seli në Nju Jork e apeluan vendimin e gjykatës së Teksasit, që nëse zbatohej do të hidhte poshtë një vendim të Administratës së Ushqimit dhe Barnave që lejonte përdorimin e mifepristonit.

Ilaçi është miratuar për përdorim në SHBA që nga viti 2000 dhe atë e kanë përdorur më shumë se 5 milion gra. Mifepristoni përdoret i kombinuar me një ilaç të dytë, misoprostolin, në më shumë se gjysmën e të gjitha aborteve që kryhen në SHBA.

Me këtë vendim gjasat janë që aksesi te mifepristoni të jetë i garantuar të paktën deri vitin e ardhshëm, ndërsa vazhdon beteja në gjykatën e Apelit, përfshirë dhe shanset që çështja të shkojë në Gjykatën e Lartë.

Presidenti Joe Biden vlerësoi vendimin e Gjykatës së Lartë që ruan aksesin te pilula ndërsa beteja gjyqësore vazhdon.

Rreziqet nuk kanë qenë ndonjëherë më të larta për gratë në të gjithë Amerikën. Unë do të vazhdoj betejën ndaj sulmeve të motivuara politikisht ndaj shëndetit të grave. Populli amerikan duhet të vazhdojë të përdorë votën si zë të tij e të zgjedhë një Kongres që do të miratojë një ligj që rivendos mbrojtjen që garantonte Roe kundër Wade.

Sfida ligjore kundër mifepristonit e ngritur nga kundërshtarët e abortit është polemika e parë mbi abortin që arrin në gjykatën më të lartë të vendit, që kur shumica e saj konservatore hodhi poshtë 10 muaj më parë, vendimin historik Roe kundër Wade, duke lejuar më shumë se 12 shtete ta ndalonin abortin.

Por, edhe pas kësaj fitoreje kundërshtarët e abortit u rikthyen tek gjykatat federale me një objektiv të ri: kundërshtimin e ilaçeve për abort, që përdoren në më shumë se gjysmën e rasteve në të gjithë vendin.

Me kalimin e viteve, Administrata e Ushqimit dhe Barnave i ka lehtësuar kushtet e përdorimit të mifepristonit, duke lejuar edhe dërgimin e tij me postë në shtetet që e lejojnë përdorimin.