Bota Lajmet e fundit

SHBA, Garland “kundërsulm” republikanëve!

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland e bëri të qartë se nuk ka për të lejuar që Departamenti i Drejtësisë “të përdoret si një armë politike”.

Teksa mbrojti institucionin e rëndësishëm nga pretendimet e republikanëve për politizimin e drejtësisë, kryeprokurori denoncoi “teoritë konspirative” dhe “gënjeshtrat e rrezikshme” që vënë në objektiv organet federale të zbatimit të ligjit.

“Normat tona janë një premtim se nuk do të lejojmë që ky dikaster të përdoret si armë politike. Normat tona janë një premtim se nuk do të lejojmë që ky vend të bëhet një shtet ku drejtësia të trajtohet si një degë e politikës”, tha Merrick Garland, kryeprokuror i SHBA.

Më herët, figura të njohura të Partisë Republikane lëshuan akuza se Departamenti në fjalë po përdoret politikisht kundër ish Presidentit Donald Trump, i cili përballet me dy akuza të veçanta nga prokurori i posaçëm Jack Smith. Ishte pikërisht Garland që e angazhoi Smith nga jashtë Departamentit të Drejtësisë për të drejtuar hetimet ndaj ish kreut të Shtëpisë së Bardhë. Republikanët kanë ngritur po ashtu pretendime se çështja e ngritur në Nju Jork, ku Trump u gjet fajtor në muajin maj për 34 akuza, ishte orkestruar nga ky dikaster dhe nga vete Presidenti demokrat Joe Biden.

Kur e mori detyrën, Garland u zotua për riparimin e reputacionit të Departamentit të Drejtësisë për pavarësi politike pas katër vitesh të trazuara nën administratën e Presidentit Trump. Por ai është përballur me një valë të ashpër kritikash lidhur me trajtimin e disa cështjeve të ndjeshme, përfshirë hetimet ndaj Hunter Biden-it, djalit të Presidentit Biden, i cili deklaroi javën e kaluar se ishte fajtor lidhur me akuzat për evazion fiskal në një çështje të ngritur nga një tjetër prokuror i posaçëm.