Bota

SHBA: Fundoset gjatë ndërtimit nëndetësja e re bërthamore e Kinës!

Pamjet satelitore kanë treguar se nëndetësja më e re bërthamore sulmuese e Kinës është fundosur gjatë ndërtimit. Njoftimin e bëri një zyrtar amerikan i Departamentit të Mbrojtjes apo ndryshe Pentagonit. Për vendin aziatik, fundosja e nëndetëses së parë të klasës Zhou, paraqet një dështim. Kjo pasi Pekini zyrtar është duke bërë përpjekje që të ndërtojë marinën më të madhe në botë.

Shteti kinez ka shfaqur një vetëbesim të madh në pretendimet e bëra publike për ta pasur vetëm nën kontrollin e tij, të gjithë Detin e Kinës Jugore e që është kyç për tregtinë ndërkombëtare. Ndërkohë, Kina po përballet me mosmarrëveshje të vazhdueshme territoriale me vende të tjera në rajon, duke përfshirë Brunein, Malajzinë, Filipinet, Tajvanin, si dhe Vietnamin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po synojnë t’i forcojnë lidhjet me aleatët e tyre në rajon e lundrojnë rregullisht në ato ujëra, në operacione për të cilat thonë se “ruajnë lirinë e lundrimit për anijet atje”, duke e zemëruar kështu Pekinin.

Gjasat janë që kjo nëndetëse të jetë fundosur mes muajve maj dhe qershor të këtij viti, kur pamjet satelitore shfaqën vinça të cilët do të ishin të nevojshëm për ta nxjerrë nga fundi i lumit, tha zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti duke mos pranuar të identifikohet.

Kina është duke ndërtuar flotën e saj detare me një shpejtësi të madhe. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë ngritjen e Kinës si shqetësimin më të madh për sigurinë e saj në të ardhmen. Ambasada kineze në Uashington tha sot se nuk ishte “në dijeni me situatën” dhe se nuk ka informata për të dhënë.

Zyrtari amerikan vuri në dukje se nuk ishte një “befasi” që marina kineze do ta mbajë të fshehtë këtë dështim. Lajmi për fundosjen e nëndetëses vjen në një javë kur si rrallëherë, Kina lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale në ujërat ndërkombëtare, në Oqeanin Paqësor. Ekspertët thonë se ky ishte testi i parë që Pekini zyrtar ka kryer në 44 vjet, prej vitit 1980.