Bota

SHBA, 2 viktima dhe 6 të plagosur nga të shtëna me armë në një festë në Memfis!

Të shtënat me armë zjarri përgjakën një festë në Memfis të shtetit Tenesi në Amerikë. Dy persona u vranë e gjashtë të tjerë u plagosën dje në mbrëmje. Fillimisht, u raportua për 14 të lënduar. Bilancin e konfirmoi policia lokale. Sipas autoriteteve, ishin nga 200 deri në 300 të pranishëm në festën në parkun Orange Mound.

Paraprakisht, mësohet se për atë festë nuk ishte marrë leje zyrtare. Policia tha se ende nuk ka bërë arrestime, por dihet vetëm se kanë qëlluar dy persona. Shefi i policisë së Memfisit, C.J. Davis:

Oficerët tanë u përgjigjën në orën 19:19 me atë lokale. Tre prej të plagosurve në gjendje më të rëndë u dërguan në spitalet e zonës ndërsa dy vetë u konstatuan të pajetë në vendngjarje. Ne besojmë se të paktën dy persona hapën zjarr gjatë festës dhe motivet ende nuk dihen, por po punojmë për zbardhjen e rrethanave.

Davis bëri të ditur se Departamenti i Policisë që drejton ka marrë pamjet video nga kamerat e sigurisë e po kërkon për personat përgjegjës. Po ashtu, theksoi se kushdo që ka video rreth ngjarjes ose informacione shtesë, të kontaktojë forcat e zbatimit të ligjit.

Kjo që ndodhi në Memfis, sërish me pasoja vdekjeprurëse, zgjeron listën e më shumë se 115 të shtënave masive të raportuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej fillimit të vitit, referuar të dhënave nga Arkivi i Dhunës nga Armët.

Ritmi i rrezikshëm i të shtënave masive u përshkallëzua në vitin 2020 gjatë pandemisë COVID-19 dhe ka vazhduar që atëherë. Midis viteve 2019 e 2020, numri i përgjithshëm i të shtënave masive çdo vit, u rrit nga 414 në 610. Më pas, 2021-shi u shënua edhe si viti më i keq për të shtënat masive që kur Arkivi i Dhunës nga Armët, filloi që t’i gjurmonte ato më 2013-ën, me 690 në 44 shtete e në Uashington DC. Po ashtu, ka pasur 656 të shtëna masive vetëm vitin e kaluar.

Vazhdimisht, presidenti amerikan, Joe Biden është zotuar t’i jepet fund dhunës së armëve të zjarrit në Shtetet e Bashkuara. Në shtator të vitit të kaluar, Biden shprehej:

Administrata ime po punon pa pushim për të bërë diçka.

Biden vuri në dukje se kjo është dhe kërkesa që i drejtohet sa herë që në Shtetet e Bashkuara regjistrohen episode të përgjakshme nga të shtënat me armë.